SPAK merr të pandehur Erion Veliajn, i komunikon zyrtarisht akuzat edhe Ajola Xoxës

SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Atij iu komunikuan akuzat në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Më herët, SPAK mori të pandehur edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, të cilës i janë komunikuar akuzat gjatë paraqitjes së saj pranë Prokurorisë së Posaçme, nën shoqërinë e avokatit Maks Haxhia.
Ende nuk janë bërë publike akuzat konkrete ndaj Veliajt dhe Xoxës, ndërsa janë hetuar për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Hetimet janë përmbyllur, ndërsa SPAK ka caktuar datën 24 shtator si afatin e fundit për dërgimin e çështjes në gjykatë.
Avokati i Xoxës, Maks Haxhia dhe klientja e tij janë njohur me materialet e çështjes dhe, në përputhje me legjislacionin penal, do të vendosin në vijim se çfarë qëndrimi do të mbajnë nëse do të dorëzojnë një memo, të japin deklarime apo të qëndrojnë në heshtje. Pala mbrojtëse ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion të gjitha materialet hetimore. SPAK ka informuar se ato mund të merren kundrejt pagesës, kërkesë që nuk është pranuar nga avokati Haxhia.
SPAK i ka komunikuar akuzën “fshehje e të ardhurave” edhe biznesmenit Mirton Lika. Në bazë të hetimeve rezulton se Lika i ka dhënë një zyrë Ajola Xoxës me kontratë hua përdorje, por Prokuroria e Posaçme dyshon se është veprimtari e paligjshme. Bëhet fjale për një zyrë në godinën “Sky Tower” në zonën e ish-Bllokut, ku u ushtruan kontrolle përpara disa muajsh nga agjentët e BKH. Ajola Xoxa në këtë godinë zotëronte disa zyra për disa aktivitete të saj, nga galeria private “Harabel” te zyra juridike “Partners Low”.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/