I shumëkërkuari grek mund te fshihet në Shqipëri

Vasilis Paleokostas
Ka pak ditë që forca speciale të Policisë së Athinës kanë zbarkuar në Janinë, dhe më shumë janë përqëndruar në kufirin shqiptaro-grek.
Shkak duket se është marrja e sinjaleve të besueshme, se në territorin mes dy vendeve, ka qarkulluar lirshëm i shumëkërkuari Vasilis Paleokostas, i cili së bashku me Alket Rizain, u arratisën në mënyrë spektakolare me heilikopter nga Burgu i Koridhalosit në shkurt të 2009.
Policia greke ka vënë në dijeni Policinë shqiptare për penetrimin jo vetëm një herë në territorin shqiptar, të të shumë kërkuarit Paleokostas, i cili sipas të dhënave që disponohen ka kryer disa hyrje-dalje në zonën e Pogonit të Poshtëm, në kufi me territorin shqiptar në Gjirokastër.
Autoritetet greke të informacionit, dyshojnë se vendndodhja e Paleokostës në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, justifikohet me faktin se ai ndihmohet nga njerëzit e një të dënuarit grek bashkëvuajtës i tij në Burgun e Koridhalosit i cili qëndron në qeli duke vuajtur dënimin për një grabitje. Në tre grabitje të fundit të kryer në Janinë në disa zona të nxehta, Policia Rajonale e Epirit, ia atribuon vetë Vasilis Paleokostas i cili konsiderohet si një ndër personazhet më të rrezikshme të krimit grek.
Ndërkohë që një burim mediatik helen, ka shkuar edhe më larg duke thënë se i shumëkërkuari Paleokostas, disponon një pasaportë shqiptare biometrike e cila ka shërbyer për kalimin e tij pa probleme mes dy shteteve. Duke parë se Paleokostas zotëron shqipen, ky version sipas mediave greke në Janinë, mund të jetë i besueshëm, megjithatë për këtë fakt, Policia e Janinës, është duke e hetuar.
Piro Nase