I takojnë Kosovës
Zviceranët kanë filluar të brengosen se mund t’i humbin futbollistët kryesorë të përfaqësueses së tyre, të cilët kanë prejardhje shqiptare. Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami, janë tre nga futbollistët e rëndësishëm të helvetikëve që mund ta lënë këtë ekip në të ardhmen, për përfaqësuesen e Kosovës.
Mirëpo, zviceranët shpresojnë në statutin e FIFA-s, i cili nuk e lejon një futbollist që luan për një përfaqësuese në ndeshje zyrtare, ta ndërrojë atë për një tjetër. Mirëpo, ky rregull nuk vlen edhe për rastin e Kosovës, e cila ka të drejtë t’i afrojë futbollistët kosovarë që përfaqësojnë vendet e tjera, me t’u pranuar në FIFA dhe UEFA.
“Ligjërisht dhe juridikisht futbollistët kosovarë që përfaqësojnë shtetet e tjera, kanë të drejtë që të luajnë për Kosovën, varet nga dëshira dhe interesi i tyre. Në momentin që Kosova të pranohet në FIFA e UEFA, atyre u hapet mundësia dhe e drejta që të zgjedhin, ngase vendi i tyre deri në atë moment nuk ka qenë i pranuar në këto dy institucione”, deklaroi nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
“Nëse pas pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA nuk e ndërrojnë përfaqësuesen, e humbin të drejtën për ta bërë një gjë të tillë më vonë. Kosova është rast unik, i vetmi, ku lojtarët mund ta ndërrojë përfaqësuesen”, vazhdoi ai.
Mirëpo, deri tash, shtëpia e futbollit kosovar nuk ka menduar shumë për këtë punë, pasi që nuk dëshiron ta prishë stabilitetin në përfaqësueset që në gjirin e tyre kanë lojtarë nga Kosova. Çdo veprim që do ta bëjë FFK-ja, do të bëhet me kohë.
“Realisht, nuk i kemi hyrë kësaj pune deri tash, pasi po presim kur t’i vijë momenti. Nuk duam t’i pengojmë ose t’iu sugjerojmë se çka të bëjnë. Secili e ka në zemër vendimin e tij, të cilin e merr absolutisht vetë”, nënvizoi Ademi.
Në vazhdim, ai njoftoi se Federata do t’ua bëjë ftesën të gjithë futbollistëve kosovarë, të cilët e posedojnë kualitetin e duhur dhe që e bindin selektorin. FFK-js do ta kryejë punën e vet, duke ua bërë ftesën, e më pas ata do të vendosin.
“Zvicra, por edhe vendet e tjera le të jenë të qeta, sepse deri në momentin e caktuar nuk do ta prekim asnjë futbollist. Ndërkaq, në momentin e duhur, me marrëveshje me miqtë tanë nga federatat përkatëse dhe me dëshirën e lojtarëve, do të ndërhyjmë”, përfundoi Ademi.
Përpos Zvicrës, edhe vendet e tjera kanë arsye të brengosen, pasi në një të ardhme jo fort të largët, mund të mbesin pa lojtarë të rëndësishëm.
Shqipëria mund të mbetet pa gjysmën e ekipit, ngase Samir Ujkani, Etrit Berisha, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Mërgim Mavraj, Ahmed Januzi, Besart Berisha etj, mund t’i bashkohen ekipit të ri të Kosovës.
Finlanda mund të mbetet pa mesfushorin Përparim Hetemaj dhe sulmuesin Njazi Kuqi, kurse Suedia mund ta humbasë Emir Bajramin.