E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vetëm në kritikë

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, e shfrytëzoi ndërhyrjen e EULEX’it në Ministrinë e Transportit për t’u rikthyer kritikave të tij të mëhershme kundër Qeverisë dhe thirrjeve për prishje të koalicionit mes PDK’së dhe LDK’së.

Si gjatë fushatës për zgjedhje lokale, zyrtarë të partisë së tij thonë se këto deklarata të Mustafës nuk janë qëndrime të Kryesisë së LDK’së.

Të dielën, Kryetari i Prishtinës i sugjeroi partisë së tij që ta rishqyrtojë pozicionin në Qeverinë aktuale, pas zhvillimeve të fundit në raport me EULEX’in, duke e cilësuar atë si një qeverisje jo të mirë.

“Nuk shoh kurrfarë arsyeje që LDK-ja edhe më tutje të jetë bashkëpjesëmarrëse në një qeverisje të tillë. Mendoj se edhe me këto ngjarje, kjo qeverisje tregoi se nuk është efektive, nuk është e drejtë, nuk është qeverisje e mirë, prandaj nuk kemi arsye të jemi pjesë e një qeverisjeje e cila po tregohet se nuk është e mirë”, deklaroi Isa Mustafa.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i LDK’së, nuk dëshiron të komentojë qëndrimin e kolegut të tij partiak.

“Nuk kam asnjë koment për këtë deklaratë”, ka thënë Manaj për Express.

Edhe zyrtari tjetër nga LDK’ja, Bujar Bukoshi, i cili gjatë fushatës zgjedhore ka mbështetur kritikat e Isa Mustafës kundër Qeverisë Thaçi, ndërsa më vonë u bë pjesë e saj, ngurron të flasë për qëndrimet e Mustafës.

“Kjo Qeveri ka pasur probleme dhe ka probleme. Por, si të zgjidhen ato, vendosin partnerët e koalicionit PDK-LDK. Sa i përket LDK’së, unë nuk jam kompetent të flas se çfarë duhet ndodhë”, ka thënë Bukoshi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›