E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vetëm përpara Hagës

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnje-Hercegovinës, Radovan Karaxhiç, u paraqit dje për të parën herë përpara një gjykatësi të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për të dhënë llogari për akuzat për gjenocid.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnje-Hercegovinës, Radovan Karaxhiç, u paraqit dje për të parën herë përpara një gjykatësi të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për të dhënë llogari për akuzat për gjenocid. Sipas ATSH-së, 63-vjeçari Karaxhiç, i arrestuar javën e kaluar, pas 11 vjetësh të kaluara në arrati, ishte veshur me një kostum të errët dhe dukej i dobët i ulur në karrigen e të akuzuarit. Por “Zëri i Amerikës” tha se Karaxhiçi, i cili e kaloi një pjesë të kohës në Beograd, pasi ndryshoi ndjeshëm pamjen e tij, duke rritur mjekrën dhe flokët e bardhë, “në seancën e sotme (djeshme) në Gjykatën e Hagës ai dukej shumë mirë, me mjekër të rruar dhe flokë të prera e i veshur me kostum”. BBC-ja raportoi se mbi Karaxhiçin aktualisht rëndojnë 11 akuza për krime lufte, nga persekutimi deri tek gjenocidi. Ai përballet gjithashtu me akuzën për rrethimin 43-mujor të Sarajevës, që shkaktoi 12 mijë të vdekur dhe për masakrimin e afro 8 000 myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë në vitin 1995, që konsiderohet si krimi më i rëndë i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u paraqit në gjykatë, pasi kaloi natën e tij të parë në një qeli paraburgimi të gjykatës e OKB-së për krime lufte me seli në Hagë. Karaxhiçi i ka prerë flokët e gjatë dhe mjekrën që e ndihmuan atë të maskohej si një mjek alternativ gjatë viteve të pasluftës. Ai u transferua dje në mëngjes në Holandë. Si Sllobodan Millosheviçi, i cili vdiq në qendrën e paraburgimit në vitin 2006, disa muaj përpara se të jepej një vendim në procesin e tij katërvjeçar, Karaxhiçi ka sugjeruar se dëshiron të mbrojë veten, një lëvizje që mund të zgjasë procesin gjyqësor. ATSH-ja njoftoi se kryeprokurori Serge Brammertz deklaroi se do ta zhvillonte procesin gjyqësor në një mënyrë të efektshme, duke nxjerrë mësime nga çështja e Millosheviçit. Fillimisht gjykatësi e pyeti Karaxhiçin nëse e kuptonte procedurën dhe tha se ai kishte të drejtë edhe të mos fliste. Karaxhiçi tha se kuptonte dhe se kishte vendosur të vetëmbrohej në seancën e parë, megjithëse tha se kishte një këshilltar të padukshëm. Radovan Karaxhiç u ekstradua të mërkurën për në Hagë nga një burg në Beograd, ku mbahej që pas arrestimit. Sipas BBC-së, qelia e Karaxhiçit ka përmasat pesë metra me tre në burgun e OKB-së, që ndodhet vetëm pak km larg nga Gjykata për Krime Lufte. Ambasadori amerikan, Riçard Hollbruk, e ka quajtur Karaxhiçin “Bin Ladeni i Evropës”. Hollbruk ka qenë ndërmjetës i paqes në Ballkan që përfundoi me Marrëveshjen e Dejtonit mbi krijimin Bosnje-Hercegovinës të përbërë nga Republika Srpska dhe Federata Kroato-Myslimane. Sipas “Zërit të Amerikës”, ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, nuk pranoi të shprehte mendim për fajësinë apo pafajësinë ndaj akuzave për gjenocid, të ngritura për rolin e tij në luftërat në ish-Jugosllavi në vitet 90-të. Ai e hodhi poshtë ofertën për t’u mbrojtur nga një avokat i caktuar nga Haga, madje i tha trupit gjykues se ai do të vetëmbrohet. Kryegjykatësi lexoi të 11 akuzat e ngritura kundër Karaxhiçit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për rolin e tij në mizoritë kundër joserbëve gjatë luftës së periudhës 1992-1993 në Bosnje-Hercegovinë. 63-vjeçarit Karaxhiç iu dhanë 30 ditë për të vendosur nëse e pranon apo jo fajësinë. Nëse shpallet fajtor, ai do të dënohet me burgim të përjetshëm. Ai do të dalë për t’u përgjigjur në seancë në 29 gusht dhe gjithashtu do të deklarohet mbi akuzat.

Presion

BBC shkruante dje në faqen e saj në internet, se dalja e Radovan Karaxhiçit para Gjykatës për Krime Lufte ishte një moment kyç për Serbinë. Për vite të tëra vendi është akuzuar se nuk kishte bërë sa duhet për ta gjetur njeriun, i cili shihet nga shumë serbë si hero lufte. Mosarrestimi i Karaxhiçit çoi në bllokimin e përpjekjes së Serbisë për anëtarësim në BE. Arrestimi dhe ekstradimi i ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës shihet si arritje e madhe e qeverisë properëndimore të Serbisë, por për BE-në edhe kaq nuk mjafton. Mbi vendin tani po shtohet presioni për të kapur dy të kërkuarit e mbetur për krime lufte, që janë ende në arrati, mes tyre edhe komandanti i kohës së luftës, Ratko Mlladiç.

Reagimi në Serbi

Që nga arrestimi i Karaxhiçit, Serbia është magjepsur me hollësirat e jetës së dyfishtë që bënte ai në arrati. Po sipas BBC-së, duke punuar si specialist në mjekësinë alternative në Beograd, ai zgjati flokët dhe mjekrën për të mos u njohur. Pas arrestimit, thuhet se ka prerë flokët dhe është rruar. Kur Radovan Karaxhiç do të dalë për herë të parë pas më shumë se një dhjetëvjeçari para publikut, shumë do të presin për të parë sesi duket tani. Familjes së Karaxhiçit iu rikthyen dokumentet e udhëtimit që u ishin konfiskuar në muajin janar, me dyshimin se po ndihmonin z. Karaxhiç në arrati. Tani ata mund ta vizitojnë Karaxhiçin në Hagë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›