E Hënë, 2 Nëntor 2026

I vunë zjarrin pyjeve pas djegies së mbeturinave, një i arrestuar në Vlorë dhe një në Shijak

Dy persona janë arrestuar pasi akuzohen se u kanë vënë zjarrin sipërfaqeve me pyje në dy raste të ndryshme. Në pranga përfundoi 58-vjeçari I.B. në Shijak, ku pas djegies së mbeturinave në tokën e tij, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Gjithashtu është ndaluar edhe 33-vjeçari në Vlorë, pasi ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi në malin e Shashicës.

Pas hetimeve policia ndaloi 33-vjeçarin E. F., banues në fshatin Kaninë, i cili ndezi zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur.

Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›