E Diel, 1 Nëntor 2026

I vuri zjarrin ullishtes, arrestohet 52-vjeçari në Vlorë, në kërkim vëllai dhe kushëriri i tij

Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të një zjarrvënieje të ndodhur më 6 korrik në zonën e “Qafës së Petës”, në fshatin Petë.

Pas një hetimi disa-javor, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë identifikuar si autor të dyshuar shtetasin A.S., 52 vjeç, banues në fshatin Mallkeq. Ai është arrestuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Sipas policisë, nga zjarri i ndezur dyshohet se prej 52-vjeçarit u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe pemë ulliri.

Në lidhje me ngjarjen janë shpallur gjithashtu në kërkim shtetasit R.S., 62 vjeç dhe I.S., 35 vjeç, banues në Mallkeq. Ata janë përkatësisht vëllai dhe kushëriri i të arrestuarit.

Sipas uniformave blu, gjatë shoqërimit të A.S., dy personat kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke penguar kryerjen e detyrës, dhe më pas janë larguar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›