E Hënë, 2 Nëntor 2026

IGJEO: Priten reshje shiu me intensitet të lartë, rrezik për përmbytje në disa qarqe

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se pasditen e sotme pritet të rinisin sërish reshje shiu me intensitet të lartë në gjithë vendin.

Sipas IGJEO-s, reshjet me intensitet do të vijojnë edhe ditën e nesërme, ndërsa qarqet më të prekura do të jenë Fieri, Korça, Vlora dhe Gjirokastra, ku mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e diel, datë 23 nëntor, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Lumi Vjosa do të vazhdojnë të paraqesë rrezik të shtuar për përmbytje me prurje dhe nivele të larta në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Konkretisht IGJEO njofton se sot dhe nesër, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Shkodër, Fier dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Në të gjithë territorin reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Po ashtu shqetësim do të jetë edhe era, e cila pritet të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në bregdet.

/m.m/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›