E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro-Mogherini: 40 studentë në Kolegjin e Europës, kampusi i ri në zhvillim

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim në Tiranë me rektoren e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, në nisje të vitit të dytë akademik të këtij institucioni të rëndësishëm tashmë të pranishëm edhe në kryeqytetin tonë.

Këtë vit, 40 studentë shqiptarë dhe europianë po ndjekin studimet në Kolegjin e Europës në Tiranë, një zhvillim që konsiderohet dëshmi konkrete e rolit në rritje të Shqipërisë në hartën europiane të arsimit të lartë.

“Këtë vit, 40 studentë shqiptarë dhe europianë po ndjekin studimet në Kolegjin e Europës në kryeqytetin tonë, edhe si një dëshmi e qartë e rolit që Shqipëria po merr në hartën europiane të arsimit të lartë”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh e lumtur për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Mogherini-n, bashkëpunim që po materializohet përmes zgjerimit të mundësive akademike dhe projekteve të reja për studentët shqiptarë.

Gjatë takimit, u vu theksi te ecuria e projektit të kampusit të ri të Kolegjit të Europës, një investim strategjik që pritet t’i japë Tiranës një qendër të re akademike me standarde ndërkombëtare. Sipas ministres, ky projekt do të forcojë më tej rolin e Shqipërisë në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë, duke e pozicionuar vendin si një pikë të rëndësishme bashkëpunimi akademik në rajon.

“Po ecim përpara me projektin e Kampusit të Kolegjit të Europës, një investim që do t’i japë Tiranës një pol të ri akademik ndërkombëtar dhe do ta forcojë edhe më shumë rolin e Shqipërisë në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë”, theksoi Kumbaro.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›