IGJEO: Rrezik i lartë nga zjarret në disa qarqe, temperaturat deri në 37°C

TIRANË, 6 shtator/ATSH/Instituti i Gjeoshkencave njofton se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarret në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas parashikimit të IGJEO-s, në qarqet Kukës dhe Korçë niveli i rrezikut pritet të jetë “i moderuar”, ndërsa rrezik “i lartë” parashikohet në zona të lokalizuara të tyre, konkretisht në verilindje të qarkut Kukës dhe në jug të qarkut Korçë.
Instituti bën të ditur se rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme, e hënë, 7 shtator.
Sa i përket kushteve meteorologjike, nuk priten reshje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në të gjithë vendin.
Temperaturat minimale dhe maksimale pritet të luhaten nga 22°C deri në 36°C në zonat bregdetare, nga 19°C deri në 37°C në vendet e ulëta dhe nga 13°C deri në 31°C në zonat malore.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore, për momente, ajo mund të jetë e fortë.
IGJEO rekomandon vëmendje të shtuar, veçanërisht në qarqet dhe zonat ku është parashikuar nivel i lartë rreziku nga zjarret.
1 nga 2