IKMT shemb 44 objekte në tetë muaj, hapet rruga për shtatë projekte publike

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka ndërhyrë për lirimin e hapësirave të nevojshme për realizimin e projekteve publike, duke shembur 44 objekte gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, bëri të ditur se një tjetër objekt është shembur sot në Qarkun e Elbasanit, në kuadër të punimeve për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8.
“Gjatë periudhës janar–gusht, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka shembur 44 objekte, duke mundësuar vijimin e punimeve në shtatë projekte të investimeve publike në të gjithë territorin”, deklaroi Qëndro.
Sipas tij, ndërhyrjet për eliminimin e pengesave në terren synojnë të përshpejtojnë realizimin e veprave infrastrukturore dhe projekteve me interes publik.
“Eliminimi i pengesave në terren, përmes ndërhyrjes së IKMT-së, bën të mundur përfundimin sa më të shpejtë të veprave publike me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e lëvizshmërisë dhe të cilësisë së jetës për çdo qytetar”, u shpreh kreu i IKMT-së.
Aksi Elbasan–Përrenjas–Qafë Thanë është pjesë e Korridorit 8 dhe ndërhyrja në këtë segment synon krijimin e kushteve për vijimin e punimeve të projektit të zgjerimit të rrugës.
IKMT vijon punën në terren për lirimin e hapësirave dhe eliminimin e pengesave që ndikojnë në zbatimin e projekteve të investimeve publike.
/e.xh/r.e/