IKMT verifikon punimet në Pishë Poro-Nartë: Po ndërtohen rrugë aksesi brenda pronës

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) i është përgjigjur interesimit të medias, lidhur me verifikimin e punimeve të dyshuara në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Në një deklaratë për shtyp, IKMT sqaron se në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikimet në terren në Pishë Poro-Nartë. Nga ky verifikim është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.
“Këto punime rezulton se po kryhen në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Leja e sipërcituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Sipas njoftimit, subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development sh.p.k.
Për çdo leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, IKMT krijon grupe të përbashkëta inspektimi në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit me synim garantimin e ligjshmërisë në zbatimin e projekteve të miratuara.
/e.i/a.f/r.e/