E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 816 mijë turistë të akomoduar në hotele në korrik, kryeson Kosova, Italia dhe Polonia

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Rritja e numrit të turistëve që zgjodhën për të kaluar pushimet në vendin tonë, reflektohet edhe në aktivitetin e strukturave akomoduese në të cilat vetëm gjatë muajit korrik u regjistruan mbi 816 mijë vizitorë.

INSTAT publikoi sot të dhënat lidhur me numrin e turistëve të akomoduar në strukturat hoteliere si dhe netqëndrimet.

Në total, strukturat akomoduese pritën 816.563 vizitorë, nga 708.605 në korrik 2025.
Sips të dhënave të INSTAT, pjesa dërrmuese e rritjes ka ardhur nga turistët e huaj.

Numri i vizitorëve jo-rezidentë arriti në 622.660, kundrejt 526.302 një vit më parë, ose 18,3% më shumë.

Vizitorët rezidentë u rritën me 6.4%, duke arritur në 193.903 persona.

Ndërsa sa i përket netqëndrimit në strukturat akomoduese, INSTAT bën të ditur se në korrik, numri i netqëndrimeve u rrit me 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për vizitorët e huaj rritja është 17,3%, kurse për pushuesit rezidentët 4,4%.

Shumica e turistëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri gjatë korrikut ishin nga Kosova, Italia, Polonia, Franca dhe Gjermania.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›