E Diel, 1 Nëntor 2026

ILD miraton 9 inspektime për matjen e eficiencës së drejtësisë

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në mbledhjen e përgjithshme të inspektorëve planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2026.

Inspektimet tematike dhe institucionale do jenë edhe gjatë vitit 2026, instrumenti me të cilin Inspektori i Lartë i Drejtësisë mat eficiencën e drejtësisë në vend, ndërsa këtë vit, në mënyrë të dedikuar, do të monitorojë edhe zbatimin e rekomandimeve të lëna nga inspektime të mëparshme.

Në mbledhje u paraqit analiza e të dhënave mbi llojin e pretendimeve të ankuesve, qytetarë apo institucione deri në dhjetor 2025, si dhe pretendimet e ankesave të trajtuara me vendimmarrje gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave, pjesën më të madhe e zenë pretendimet për vendimmarrje të padrejta, pretendimet për zvarritje gjykimi, zvarritje të veprimtarisë hetimore dhe vonesa në dorëzimin e vendimeve gjyqësore.

Gjithashtu evidentua se gjatë vitit 2025, sipas traditës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i ka dërguar kërkesa për tematika inspektimesh për planin e inspektimeve për vitin 2026, institucioneve të drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Në mbledhje u vlerësua angazhimi i tri institucioneve, që kanë përcjellë propozime për inspektimet tematike ose institucionale, konkretisht Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar 2 tematika inspektimesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 4 tematika inspektimesh dhe Ministri i Drejtësisë 5 tematika inspektimesh.

Pas diskutimeve mbi të dhënat e ankesave të përcjella, të propozimeve të ardhura nga tri institucionet e drejtësisë, si dhe të prioriteteve të punës së ILD-së, edhe për shtrirje gjithëpërfshirëse gjeografike të inspektimit në gjykata e prokurori, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 9 inspektime për t’u realizuar gjatë vitit 2026, 8 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional.

E veçanta këtë vit është miratimi i 2 inspektimeve tematike mbi ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme.

Kalendari i inspektimeve përmban nga trajtimi i ankesave të qytetarëve dhe institucioneve, kohëzgjatja e proceseve civile gjyqësore, shpallja dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore, respektimi i afateve të paraburgimit, trajtimi i referimeve dhe kallëzimeve penale ndaj punonjësit të policisë së shtetit dhe atij të burgjeve për keqtrajtim.

Në mënyrë të posaçme gjatë vitit 2026 janë miratuar dy inspektime për ndjekjen e rekomandimeve të inspektimeve të mëparshme, konkretisht për “Lirimin me kusht” në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë dhe  “Mbi caktimin e çështjeve me short në prokurori”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›