ILD miraton kalendarin e inspektimeve për vitin 2025

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka miratuar në mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve planin e inspektimeve në prokurori e gjykata për vitin 2025.
Për të dytin vit radhazi, inspektimet tematike dhe institucionale janë prioritet i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si instrument për të matur eficiencën e drejtësisë në vend, por edhe konkluzion i takimit të posaçëm të punës, i mbajtur tetorin e kaluar, me Njësinë e Inspektorëve e atë të Ndihmës inspektorëve, për të adresuar gjetjet e dokumentit “Pozicioni i përbashkët i Bashkimit Evropian”, në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për grupkapitullin e parë themelor.
Zvarritja e proceseve të punës nga gjyqtarë e prokurorë ka qenë shkaku i evidentuar më shpesh, tek ankesat, që i janë drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit 2024, nga qytetarë por edhe institucione, të cilat kanë përcjellë propozime për inspektime tematike.
Në mbledhjen e përgjithshme të Inspektorëve u evidentua, se nga përpunimi i të dhënave mbi ankesat për gjykatat, numrin më të lartë të ankesave të shqyrtuara nga ILD, me objekt “zvarritje”, e ka Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndjekur nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe Gjykata Administrative e Apelit.
Nga ankesat e shqyrtuara gjatë vitit 2024, gjykatat për të cilat nuk është paraqitur asnjë ankesë për zvarritje janë: Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJPAKKO).
Nga zyrat e Prokurorive, numri më i madh të ankesave të trajtuara me objekt “zvarritje”, i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke vijuar me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Nga ankesat e shqyrtuara gjatë vitit 2024, prokuroritë për të cilat nuk ka patur asnjë ankesë për zvarritje, janë Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Duke diskutuar mbi këto të dhëna dhe konstatimet e Njësisë së Inspektorëve dhe asaj të ndihmës-Inspektorëve, gjatë shqyrtimit të këtyre ankesave në faza të ndryshme pune gjatë vitit 2024, Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi gjithsej 8 inspektime për t’u realizuar në vitin 2025, 7 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional.
Mbledhja e Përgjithshme e Inspektorëve miratoi 3 inspektime tematike dhe 1 inspektim institucional, të përcaktuara nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë,
Në Mbledhjen e Përgjithshme të Inspektorëve u diskutuan propozimet e ardhura nga institucionet si Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe u miratuan inspektimet tematike. /j.p/