I.M. ish-sigurims, Apeli lë në fuqi nisjen e hetimeve ndaj Autoritetit të Dosjeve

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës për lejimin e fillimit të hetimeve ndaj Autoritete të Dosjeve lidhur me padinë që Ilir Meta bëri ndaj kësaj të fundit për falsifikim e shpërdorim detyre.
Ilir Meta ka paditur Autoritetin e Dosjeve pasi kjo e fundit publikoi një dosje ku akuzohej I.M, politikan i nivelit të lartë si pjesë e ish Sigurimit të Shtetit. Në dhjetorin e 2022, Gjykata e Tiranës pranoi padinë e Ilir Metës dhe madje kërkoi që prokuroria të marrë në pyetje Filip Talon, personin që është kallëzuar nga I. M në ish Sigurimin e Shtetit.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 ka vendosur:
1.Shfuqizimin e vendimit datë 21.09.2022 “Për mosfillimin e proçedimit penal” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal Nr.11409, datë 06.09.2022.
2.Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022 dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuoria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”.
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 01.06.2023 në dhomë këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ilir Meta kallëzoi Autoritetin e Dosjeve për falsifikim dokumentesh shtetërore, falsifikim kompjuterik, falsifikimi vulash, stampash apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.
/rtsh.al/