E Diel, 1 Nëntor 2026

IMT nis verifikimet në Velipojë, thirrje bizneseve për çmontimin e strukturave deri më 5 mars

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Shkodër ka nisur verifikimet në terren në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri turistik në plazhin e Velipojës.

Drejtori i IMT-së, Pierin Lazri, bëri të ditur se janë kryer kontrolle të strukturave të shërbimit të ngritura përgjatë vijës bregdetare, duke i ballafaquar me dokumentacionin përkatës të administruar nga institucionet përgjegjëse.

Sipas Lazrit, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, të gjitha strukturat e përkohshme të shërbimit, përjashtuar instalimet sanitare publike dhe pikat e vrojtimit, duhet të çmontohen me përfundimin e afatit sezonal, me qëllim rikthimin e plazhit në gjendjen e tij natyrore.

“Në bazë të VKM strukturat që lejohen të ofrojnë shërbime në zonën e plazhit duhet të jenë të çmontueshme në mënyrë që të magazinohen në përfundim të procesit turistik. Të gjithë operatorët dhe bizneset të procedojnë vullnetarit me çmontimin e këtyre strukturave deri më 5 mars”, tha Lazri.

Ky proces është pjesë e masave për garantimin e rendit dhe standardeve në administrimin e vijës bregdetare, me qëllim që plazhi i Velipojës të jetë i lirë, i sigurt dhe i përgatitur në kohë për sezonin e ri turistik. Autoritetet bëjnë apel për bashkëpunim nga ana e bizneseve, në mënyrë që ndërhyrjet të shmangen dhe procedurat të përmbyllen në mënyrë vullnetare dhe brenda afateve të përcaktuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›