“Mësues për një ditë”, prindërit ndajnë përvojën e profesionit me nxënësit e Shkollës Profesionale

Një nismë që sjell profesionin më pranë nxënësve ka nisur në Shkollën Profesionale Teknike Korçë. Projekti “Mësues për një ditë” u jep mundësinë prindërve të marrin rolin e mësuesit për një orë mësimore, duke ndarë përvojën e tyre të punës me të rinjtë.
Në këtë kuadër, prindi i një nxënësi të klasës së 13-të, me profesion elektricist, zhvilloi një leksion mbi hidrocentralet, pajisjet dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, duke demonstruar konkretisht në laboratorët e elektronikës.
“Erdha sot në shkollë për të zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e kësaj shkolle pasi dhe unë kam vetë djalin këtu në shkollë “ u shpreh Kujtim Bedollari, përgjegjës i HEC-it.
Drejtoresha e shkollës, Anxhela Taho, u shpreh se nisma synon të forcojë lidhjen mes shkollës dhe familjes.
“Kjo është një nismë që do të vazhdojë dhe prindër të tjerë do ti bashkohen kësaj nisme për të folur me një pjesë të klasave ku janë fëmijët e tyre për të ndarë ccdo element të rëndësishëm të profesionit. Fillimisht e kemi nisur këtë nismë me drejtimet që ofron vetë shkolla jonë por më pas do të dalim dhe më tej për të trajtuar profesione të tjera.
Përmes kësaj nisme, shkolla synon të motivojë nxënësit dhe t’u ofrojë atyre një pasqyrë të qartë të profesionit që zgjedhin, duke dëshmuar se kur familja dhe shkolla ecin së bashku, rruga drejt së ardhmes bëhet më e sigurt.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/