E Enjte, 5 Nëntor 2026

INDI – Modi takon Putinin për të diskutuar paqen në Ukrainë

MOSKË, 8 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri indian Narendra Modi po viziton presidentin rus Vladimir Putin për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia – më shumë se dy vjet më parë.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Nju Delhi tha përpara udhëtimit se Modi ka të ngjarë të diskutojë konfliktin Rusi-Ukrainë gjatë vizitës së tij.

“Ne gjithmonë do të përpiqemi për një zgjidhje paqësore të kësaj çështjeje – sa më shpejt të jetë e mundur, e cila do të jetë e dobishme për të gjithë”, tha ai.

Zëdhënësi tha se do të diskutohet edhe kthimi i indianëve nga lufta në Ukrainë. Ai shtoi se ata ishin detyruar nën pretendime të rreme për të punuar për ushtrinë ruse. Vlerësimet sugjerojnë se kjo përfshin rreth 30 deri në 45 qytetarë indianë.

Modi ka planifikuar të udhëtojë në Austri pas udhëtimit të tij në Rusi.

“Këto vizita do të jenë një mundësi për të thelluar lidhjet me këto kombe, me të cilët India ka miqësi të testuar me kohë”, tha Modi në X.

Një banket me Putinin është planifikuar sot në mbrëmje.

Rusia është një furnizues i rëndësishëm energjie për Indinë. Të ardhurat nga shitja e naftës ruse, të cilën India e merr me zbritje për shkak të embargos perëndimore kundër Moskës, i lejon Putinit të vazhdojë financimin e luftës në Ukrainë.

India ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Ajo mban marrëdhënie të mira si me Perëndimin ashtu edhe me Rusinë, të cilën Modi vizitoi për herë të fundit në 2019.

Në vjeshtë, Rusia do të presë samitin e BRICS, një mbledhje e vendeve ku ndër të tjera përfshihen Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, në qytetin e Kazanit, në të cilin është i ftuar edhe Modi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›