INDONEZI – Autoritetet raportojnë 61 të vrarë pas shembjes së shkollës

XHAKARTA, 7 tetor /ATSH-DPA/- Ekipet e shpëtimit indoneziane përfunduan sot kërkimet njëjavore për viktimat nën rrënojat e një ndërtese të shembur katërkatëshe – në një shkollë islamike me konvikt – duke konfirmuar 61 vdekje – në një nga fatkeqësitë më të mëdha në vend, në vitet e fundit.
“Makineritë e rënda përfunduan sot pastrimin përfundimtar të mbeturinave në shkollën “Al Khoziny”, në Sidoarjo”, tha Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive.
“Vendi është pastruar dhe janë gjetur 61 viktima”, tha Budi Irawan, nga agjencia për reagimin ndaj emergjencave – duke shënuar fundin e një përpjekjeje të tmerrshme rimëkëmbjeje që filloi pasi struktura u shemb gjatë punimeve, më 29 shtator.
“Midis viktimave kishte mbetje që ende po ekzaminohen nga ekspertët mjeko-ligjorë për të konfirmuar identitetin e tyre”, tha ai.
Dy persona të raportuar të zhdukur mund të jenë midis tyre.
Shembja e ndërtesës bllokoi dhjetëra studentë, shumica prej tyre adoleshentë, brenda një sallë lutjeje të sapondërtuar – që kishte qenë tashmë në përdorim pavarësisht se ishte ende në ndërtim e sipër.
Zyrtarët thanë se fatkeqësia preku 165 persona, nga të cilët 104 mbijetuan. //a.i/