NJU JORK – Guterres: Përfundoni vuajtjet për të gjithë

NJU JORK, 7 shtator /ATSH–DPA/ – Në përvjetorin e dytë të masakrës së 7 tetorit të kryer nga terroristët islamikë në Izrael, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u bëri thirrje palëve të përfshira që t’i japin fund luftës në Gaza.
“Ndërpriteni menjëherë armiqësitë në Gaza, Izrael dhe në gjithë rajonin,” tha Guterres sot në një deklaratë.
Ai theksoi se propozimi më i fundit i presidentit amerikan Donald Trump ofron një mundësi për t’i dhënë fund konfliktit. “Pas dy vitesh traume, duhet të zgjedhim shpresën. Tani”, shtoi ai.
Që nga dita e djeshme, ndërmjetësit janë mbledhur me përfaqësues të lëvizjes islamike Hamas dhe të Izraelit në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh për të diskutuar planin e paqes të Trumpit.
Më 7 tetor 2023, terroristë nga organizata palestineze Hamas, së bashku me militantë të tjerë islamikë, kryen masakrën më të përgjakshme në historinë e Izraelit, ku u vranë rreth 1 200 persona dhe më shumë se 250 të tjerë u rrëmbyen e u dërguan në Rripin e Gazës.
Guterres përsëriti thirrjen ndaj militantëve islamikë që të lirojnë “pa kushte dhe menjëherë” pengjet që ende mbahen në Gaza.
“Përfundoni vuajtjet për të gjithë. Kjo është një katastrofë humanitare në një shkallë që sfidon çdo përfytyrim”, tha ai.
Shefi i OKB-së nënvizoi se një armëpushim i përhershëm dhe një proces politik i besueshëm janë thelbësorë për të shmangur gjakderdhje të mëtejshme dhe për të hapur rrugën drejt paqes. /Ad.Ab./