INFERTILITETI: Çfarë mund të bëjnë burrat?
PYETJE:
Jam një zotëri, kam 3 vjet i martuar dhe nuk kemi fëmijë. Kam bërëanalize spermograme dhe një më thotë është në rregull, tjetri më thotë nuk është në rregull. Cilat janë të dhënat mesatare të një analize?
PËRGJIGJE:
Nga mënyra si e ke bërë pyetjen, kuptohet, që të është sosur durimi. Për këtë dhe për arsyen që “faji” i burrave në infertilitet është shumë më i gjerë nga ç’tregon vetëm një analizë e spermës, zgjodha pyetjen tënde për t’iu përgjigjur sot.
Ndryshe nga sa e mendojnë njerëzit, roli i “Faktorit Mashkullor” në infertilitetin është shumë i madh.
Ju duhet të dini se 10% deri 15% e çifteve, kudo në botë, klasifikohen si çifte që nuk bëjnë fëmijë (infertilë). Kjo do të thotë se ata nuk e ngjizin dot një fëmijë edhe pse kanë kryer kopulime seksuale të shpeshta e të pambrojtura, por të pasuksesshme, për së paku një vit. Dhe ajo që duhet të kuptohet mirë është fakti: Në gjysmën e këtyre rasteve, shkak është burri.
Cilat janë disa nga shkaqet për infertilitetin mashkullor?
a-Prodhimi dhe funksionimi jo normal i spermatozoideve.
b-Hedhja e një numri të pamjaftueshëm të spermatozoideve në vaginën e gruas.
c- Shëndeti i përgjithshëm dhe stili i jetës së burrit.
d- Ekspozimi ndaj disa faktorëve të dëmshëm të ambientit.
Ka raste kur infertiliteti mashkullor është i qartë, por kjo nuk do të thotë se gruaja mund të mos ketë diçka që e pengon ngjizjen, ose e kundërta. Ja pse në çdo rast infertiliteti, burri dhe gruaja, duhet të mjekohen që të arrihet shtatzënia.
Dua të të them që në fillim,mos u dekurajo. Sot ka një numër të madh opsionesh për teste dhe mjekime. Ato bëjnë të mundur diagnozën e qartë dhe mjekimin e shumicës së rasteve me infertilitet mashkullor.
Shenja kryesore e infertilitetit mashkullor, është paaftësia e çiftit për të ngjizur një shtatzëni. Burri infertil mund të mos ketë asnjë shenjë tjetër.Vetëm kur infertiliteti mashkullor shkaktohet nga probleme hormonale, burri ka pakësim të qimeve në fytyrë dhe në trup, ose ka dëshirë të ulët për seks.
“Fertiliteti mashkullor” është një proces kompleks që përfshin shumë faktorë. Ndër këto faktorë kryesori është prodhimi i hormoneve që duhen për të nxitur rritjen e organeve të riprodhimit dhe për prodhimin e spermatozoideve. Për ta bërë gruan shtatzënë, burri duhet të jetë i aftë të hedhë në vaginën e saj spermatozoidë të shëndetshëm, të aftë që të arrijnë deri tek veza dhe pas kësaj ta penetrojnë dhe ta fertilizojnë vezën e gruas.
Që të ndodhë ngjizja, spermatozoidi, duhet të jetë me formë të caktuar dhe i aftë të lëvizë drejt vezës. Në qoftë se forma dhe struktura e tij (morfologjia) nuk janë normale, ose lëvizshmëria (motiliteti) e spermatozoidit është e prishur, spermatozoidi nuk është i aftë të arrijë dhe të penetrojë vezën.
Duhet të ketë një numër të mjaftueshëm spermatozoidesh në spermë që të ndodhë shtatzënia. Koncentracioni i spermatozoideve duhet të jetë më i madh se 20 milionë spermatozoide në një mililitër spermë. Po qe se ka 10 milionë, ose më pak spermatozoide për milimetër spermë, kjo tregon për përqendrim të ulët të spermatozoideve (subfertilitet). Vetëm në raste shumë të rralla ndodh që një burrë të mos prodhojë asnjë spermatozoid.
Jam i bindur, që doktori, ka përdorur edhe shumë teste të tjera për të përcaktuar me ekzaktësi se çfarë është shkaku i problemit tënd. Është shkencërisht e njohur, se në gjysmën e rasteve të infertilitetit mashkullor shkaku ekzakt nuk gjendet kurrë. Por edhe në ato raste kur shkaku nuk është plotësisht i qartë, mjekimi mund të ndihmojë.
Le t’i shikojmë më hollësisht shkaqet e infertilitetit mashkullor.
a- Prishja e prodhimit dhe e funksioneve të spermatozoideve
Janë të shumta konditat specifike që shkaktojnë probleme me spermatozoidet. Ja disa prej tyre:
Varikocela. Është ënjtje e venave në skrotum. Kjo mund të pengojë freskimin e testikujve, për pasojë pakësohet numrit i spermatozoideve si dhe lëvizshmëria e tyre.
Testikujt e pazbritur. Testikujt e pazbritur janë kur njëri ose të dy testikujt nuk zbresin nga barku në skrotum, gjatë zhvillimit të djalit në barkun e nënës. Për arsyen se testikujt e pazbritur ekspozohen ndaj temperaturës së lartë brenda trupit (kur krahasohet me temperaturën më të ulët në skrotum), kjo bën të prishet prodhimi i spermatozoideve.
Mungesa e testosteronit. (Hypogonadismi mashkullor). Infertiliteti mund të vijë nga çrregullimet e vetë testikujve që prodhojnë testosteronin, ose nga anomalitë që prekin gjëndrat në tru. Këto gjëndra (hypotalamusi ose hipofiza) prodhojnë hormonet që kontrollojnë funksionin e testikujve)
Defekte kromozomike. Çrregullimet e trashëguara të testeve siç është sindromi Klinefelter- në të cilin djali ka lindur me dy X kromozome dhe një Y kromozom, në vend të një X dhe një Y - shkakton zhvillim jo normal të testikujve.
Infeksionet. Infeksionet mund ta prishin përkohësisht mënyrën si lëvizin spermatozoidet. Sëmundjet Infektive Seksuale, si klamidia dhe gonorea, shoqërohen shumë shpesh me infertilitet mashkullor. Këto infeksione shkaktojnë cikatrikse dhe bllokojnë kalimin e spermatozoideve. Në qoftë se parotiti (shytat), (një infeksion viral që zakonisht prek fëmijët e vegjël), shfaqet pas pubertetit, inflamacioni i testikujve mund të prishë prodhimin e spermatozoideve. Inflamacionet e prostatës, të uretrës, ose epididimit, mund të prishin, gjithashtu, lëvizshmërinë e spermatozoideve.
Çrregullimet hormonale. Këto gjendje, siç është mungesa kongjenitale e GnRH (Kallmann sindromi), prishin prodhimin e hormoneve që duhen për zhvillimin seksual, ose prodhimin e spermatozoideve.
b- Furnizimi me pak spermatozoide.
Problemet e furnizimit me spermatozoide nga penisi në vaginë, çojnë në infertilitet. Këto probleme mund të jenë.
Problemet seksuale. Shpesh mjekimet e ndryshme të rrugëve gjenitale që bëhen për përmir&eum