E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërriti gripi

SHËNIM I REDAKTORIT - Një sërë pyetjesh kanë ardhur në redaksi, lidhur me vaksinën dhe vaksinimin kundër gripit. Duke bërë një përmbledhje të të gjitha pyetjeve, po ju përgjigjemi të gjithë lexuesve.

Së pari pak radhë për gripin apo influencën. Është një sëmundje infektive virale e karakterit epidemik, prek të gjitha moshat, përhapet nga i sëmuri tek i shëndoshi, kryesisht, nëpërmjet spërklave të pështymës nga kolla e teshtitja. Shenjat kryesore të sëmundjes janë: fillimi i menjëhershëm me temperaturë të larte e të dridhura; dhimbje koke, kyçesh e muskujsh; djegie fyti, rrjedhje hundësh, kollë të thatë që vjen e forcohet nga dita në ditë. Gjatë kollës të sëmurit i duket sikur i futin një shtizë të nxehtë në kraharor. Komplikacionet mund të jenë të shumta, duke filluar nga infeksionet e veshit e të bajameve e, duke arritur edhe në infeksione të organeve vitale si zemra, truri apo veshkat. Tek njerëzit me probleme kronike të shëndetit sëmundja kalon më rëndë dhe, shëndeti e jeta mund të rrezikohet.

Duke u mbështetur në të gjitha sa thashë më lart, shkenca mjekësore vazhdimisht ka bërë dhe bën përpjekje për të realizuar mbrojtjen nëpërmjet përdorimit të vaksinës kundër gripit. Kjo vaksinë, sikurse edhe një sërë vaksinash të tjera kundër sëmundjeve ngjitëse, prodhohet nga përdorimi i virusit të dobësuar të gripit e të rritur në embrionin e vezës së pulës. Vaksina kundër gripit përmban disa tipa e nëntipa, sipas rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në rrjetin tonë farmaceutik, sivjet është bërë e mundur, ndryshe nga vitet e tjera, nxjerrja në shitje në kohën e duhur, pra në përputhje me rekomandimin se vaksinimi duhet të aplikohet përpara fillimit të stinës së ftohtë. Në momentin që shkruhet ky artikull, në të gjitha njësitë e shërbimit farmaceutik është në shitje vaksina Fluarix me dozën 0.5 mililitër për të rriturit dhe ajo 0.25 mililitër për fëmijët.

Kush duhet të vaksinohet kundër gripit (influencës)? Natyrisht kjo vaksinë duhet të bëhet nga e gjithë popullata prej moshës 6-muaj e lart. Por, në mënyrë të veçantë, vaksina rekomandohet të bëhet: Nga popullata me moshë mbi 60 vjeç, moshë e cila është më e dobët për t’i bërë ballë sëmundjes, për shkak të dobësimit të mekanizmave mbrojtës të organizmit të tyre. Të gjithë fëmijët, për shkak se tek ata ende mund të ketë pamjaftueshmëri të krijimit të këtyre mekanizmave. Të gjithë të sëmurët me sëmundje kronike të zemrës, të veshkave, të mushkërive apo edhe diabetikët, sepse shëndeti dhe jeta e tyre mund të rrezikohet seriozisht nga gripi. Të gjithë ata, fëmijë apo të rritur, të cilët vuajnë nga sëmundje të lindura apo të fituara që kanë të bëjnë me deficit të mbrojtjes imunitare të organizmit të tyre. Është e domosdoshme që të vaksinohen edhe punonjësit e sektoreve që janë në kontakt të gjerë me grupe të mëdha njerëzish si mjekët, arsimtarët, edukatorët e kopshteve a çerdheve.

Cila është doza që duhet të bëhet? Për të rriturit, doza që duhet të bëhet është 0.5 mililitra ndërsa, për fëmijët, nga gjashtë muaj deri ne tre vjeç, doza që përdoret është sa gjysma e asaj të të rriturit, pra 0.25 mililitra. Duhet të dimë se: për fëmijët që vaksinohen për herë të parë kundër gripit, pas dozës së parë duhet t’u bëjmë edhe një dozë të dytë pas një muaji ose më ekzaktësisht pas katër javësh. Rruga e marrjes së vaksinës është injeksioni në muskul ose nënlëkurë.

Në cilat raste nuk lejohet bërja e vaksinës? Nuk lejohet kategorikisht bërja e vaksinës nga njerëz të cilët kanë reaksion nga mishi apo veza e pulës, si dhe nga antibiotiku me emrin gentamicinë. Kujdes! Duhet, domosdoshmërish, të bisedoni me personelin mjekësor apo me farmacistin nëse keni probleme të tilla, pasi mund të rrezikoni shëndetin por edhe jetën nga reaksioni që mund të pësoni!

Kjo është e vetmja arsye për të mos bërë vaksinën por, ka edhe disa arsye speciale të cilat duhen respektuar: Vaksina nuk mund të bëhet kur jemi duke kaluar një sëmundje akute me temperaturë të lartë! Sikurse të gjitha vaksinat e marra nëpërmjet injeksionit, edhe vaksina kundër gripit duhet të merret në prezencën e mjekut i cili, duhet të vëzhgojë dhe të marrë masat e menjëhershme në rast të ndonjë reaksioni anafilaktik të mundshëm, edhe pse kjo gjë mund të jetë shumë, shumë e rrallë.

A mund të vaksinohen gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me gji? Studimet e deritanishme tek njeriu dhe kafshët eksperimentale janë ende jo të plota për të thënë me siguri po apo jo. Pasojat që mund të ketë fruti, të cilin shtatzëna po rrit, sot mund të konsiderohen të neglizhueshme, por megjithatë, vaksinimi i një shtatzëne duhet të bëhet në përputhje me mendimin e mjekut gjinekolog. Ushqimi me gji nuk përbën një kundërindikacion për vaksinimin, qoftë për nënën, qoftë edhe për fëmijën e saj.

A ka shqetësime bërja e vaksinës sikurse ndodh tek vaksinat e tjera? Natyrisht, edhe nga vaksina kundër influencës, mund të kemi disa shenja të padëshirueshme. Në shenjat lokale do të veçoja skuqjen, dhembjen dhe ënjtjen rreth vendit të aplikimit të injeksionit. Po kështu, në një numër të vogël rastesh, mund të vihen re edhe shenja që kompromentojnë gjendjen e përgjithshme të të vaksinuarit si një ngritje e lehtë e temperaturës dhe lodhje e këputje të trupit të cilat, zhduken vetë në mënyrë spontane. Fare rrallë, janë vënë re edhe shenja më të rënda si çrregullime nervore e konvulsione.

Nëse nuk do të gjeja vaksinë me dozë për fëmijët si duhet të veproj? A mund ta ndaj atë për ta përdorur për dy fëmijë? Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë, derdhet gjysma e sasisë së vaksinës (personeli shëndetësor di ta bëjë një veprim të tillë edhe kur shiringa ka një shenjë të veçantë që tregon se deri ku duhet shtyrë pistoni për të siguruar derdhjen e gjysmës së sasisë të vaksinës por, edhe kur një shenjë e tillë mungon). Meqenëse vaksinat janë përgatitur në mënyrë të tillë që shiringa dhe ageja a saj janë një trup i vetëm e i pandashëm, është e pa mundur që vaksina të ndahet për dy fëmijë. Po kështu bërja e injeksionit me të njëjtën age në dy fëmijë të ndryshëm, qofshin edhe vëllezër a motra edhe binjakë, do të ishte një gabim i rëndë!

Përfundimisht, këshilla ime do të ishte që të vaksinohemi të gjithë kundër gripit. Të heqim dorë nga mentaliteti ynë që e shprehim me fjalët: “Hajde se grip është”.

Përshëndetje, Dr. Çimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›