INSIG rrënohet, humb 1.2 mln USD në 5 muaj
Vetëm pak muaj para se të shitet “INSIG” zë vetëm 9.8% të tregut, duke u renditur kompania e 5-të
Shehu: “INSIG” do të privatizohet brenda vitit 2008 dhe njoftimi është bërë në “Financial Times”
Kompania e Sigurimeve “INSIG” ka pësuar një humbje prej 84.1 milionë lekë në treg, vetëm për 5 mujorin e parë të vitit 2008. Sipas të dhënave të bëra publike nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Kompania e Sigurimeve “INSIG” ka mundur që të arkëtojë vetëm 235.8 milionë lekë gjatë 5 muajve të parë të vitit 2008, nga 319.9 milionë lekë që ishte arkëtimi i kompanisë për të njëjtën periudhë të vitit 2007. Tregu i sigurimit të detyrueshëm për 5 muajt e parë të vitit 2008 kap një vlerë prej 2.4 miliardë lekësh. Në këtë treg, kompania “INSIG” ka vetëm 9.8% në fund të 5 muajve të parë, ose 235.8 milionë lekë
“INSIG” kalon në vend e pestë
Kompania shtetërore është rrënuar në prag të privatizimit. Vetëm në 5 muaj, jo vetëm që ka humbur 1.2 milionë dollarë të ardhura, por nga vendi i tretë që ishte vjet përsa i përket të ardhurave në treg, ka kaluar ne vend të pestë. Tashmë përpara kompanisë shtetërore të “shtrydhur” dhe gati për privatizim renditen “Sigal”, “Sigma”, “Atlantik” dhe “Interalbanian”.
Humbasin 26% të tregut, në 5 muaj
Kaq është humbja që ka pësuar kompania “INSIG” gjatë kësaj periudhe, duke treguar krizën e saj. Nëse i referohemi tabelës të vënë në dispozicion nga ana e AMF për ecurinë e tregut gjatë pjesës së parë të vitit, atëherë shihet se vetëm “INSIG” ka pësuar rënie gjatë kësaj periudhe. Ecuria në treg e kompanive të tjera, përsa i përket sigurimit të detyrueshëm, ka vazhduar që të jetë pozitive. Tregu i sigurimit të detyrueshëm në këtë periudhë është rritur me rreth 13.3 për qind.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania “INSIG” gjatë 5-mujorit të vitit 2007 zotëronte 15.06% të tregut të sigurimit të detyrueshëm, ndërsa në fund të 5 mujorit të vitit 2008, “INSIG” zotëron vetëm 9.8 për qind të tregut të sigurimit të detyrueshëm. Humbja në përqindje në treg është 5.26 për qind, ose e përkthyer në vlerë, 1.2 milionë dollarë.
Edhe në tregun e sigurimit të Jetës, kompania “INSIG” ka humbur treg, duke zënë vetëm 36.78% të tregut në 5-mujorin e parë të vitit 2008. Në të njëjtën periudhë të vitit 2007, “INSIG” kishte rreth 42 për qind të tregut të sigurimit të Jetës.
Shehu: “INSIG” privatizohet brenda vitit
Qeveria fillon procesin e privatizimit të Kompanisë Shtetërore të Sigurimeve, “INSIG”. Njoftimi publik për shprehjen e interesit për këtë kompani është bërë pak ditë më parë në gazetën “Financial Times” dhe deri në fund të muajit të ardhshëm do të pritet interesi i investitorëve të mundshëm. Ndërkohë që është parashikuar që privatizimi i “INSIG”-ut të mbyllet brenda këtij viti. “Praktikisht ne kemi bërë njoftimin publik për shprehjen e interesit në “Financial Times” kështu që, presim që brenda datës 20 gusht të marrim ofertat dhe të shikojmë se çfarë interesi ka për privatizimin e “INSIG”-ut, ka deklaruar për mediat, zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Paratë që do të sigurohen nga privatizimi i “INSIG”-ut do të shkojnë kryesisht për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Deri në fund të këtij muajit, pritet që kompania audituese “KPMG” të dorëzojë raportin për vlerësimin e aseteve të “INSIG”. Mbi bazën e këtij raporti, qeveria do të përcaktojë një nivel minimal dhe maksimal për shitjen e kompanisë, të cilët do të shërbejnë si çmime reference.