E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në 2025, rriten me 91% autoveturat elektrike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Numri i mjeteve rrugore të regjistruara në Shqipëri arriti në 1 048 092 mjete në fund të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 9, 3% krahasuar me vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në rubrikën “Statistikat e karakteristikave të mjeteve rrugore 2025”.

Sipas raportit, autoveturat vijojnë të dominojnë strukturën e mjeteve rrugore, duke përbërë 80,8% të totalit. Numri i autoveturave për 1 mijë banorë është rritur në 361, nga 326 që ishte në vitin 2024.

Qarku i Tiranës ka numrin më të lartë të mjeteve rrugore në vend, me 34,7% të totalit, i ndjekur nga Durrësi me 13, 6% dhe Fieri me 9,1%.

Ndërkohë, qarku i Durrësit regjistron nivelin më të lartë të motorizimit, me 535 autovetura për 1 mijë banorë.

Për sa i përket karakteristikave teknike, mjetet me kambio manuale përbëjnë 55, 9% të totalit të mjeteve rrugore, ndërsa automjetet e prodhuara gjatë periudhës 2000–2010 përbëjnë 55, 3% të flotës së mjeteve.

INSTAT bën të ditur se autoveturat me moshë 11–20 vjet përbëjnë 45,7% të numrit total të autoveturave në vend.

Sa i takon markave më të përhapura, Volkswagen renditet marka më e përdorur ndër autoveturat në Shqipëri, me 19, 7% të totalit, e ndjekur nga Mercedes-Benz me 18, 1%.

Nafta mbetet lënda djegëse kryesore për autoveturat, duke zënë 72, 1% të totalit në vitin 2025.

Ndërkohë, vijon rritja e mjeteve elektrike. Numri i autoveturave elektrike është rritur me 91, 2% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar zgjerimin gradual të përdorimit të automjeteve me energji alternative.

Të dhënat e INSTAT bazohen në inventarin e mjeteve rrugore sipas gjendjes më 31 dhjetor të çdo viti dhe burimi kryesor është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›