Nufi: Marrëveshja me Fincantierin do të gjenerojë 500 vende pune në Pashaliman

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u shpreh sot se “bashkëpunimi mes shoqërisë KAYO dhe kompanisë italiane Fincantieri, një prej kompanive më të mëdha në botë në ndërtimin e anijeve, përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe kapaciteteve detare në Shqipëri”.
Ministri Nufi, deklaroi se marrëveshja me Fincantierin do të gjenerojë rreth 500 vende pune në kantierin e Pashalimanit, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi për zonën.
Sipas tij, marrëveshja e fundit e nënshkruar mes KAYO-s, Fincantierit dhe shkollës së mesme “Pavarësia” në Vlorë do të garantojë përgatitjen profesionale të të rinjve dhe të rejave, në mënyrë që ata të jenë burimi i parë njerëzor për nevojat e ardhshme të kantierit të Pashalimanit.
“Ky bashkëpunim është një mundësi për të krijuar një brez të ri profesionistësh, të trajnuar sipas kërkesave dhe standardeve të industrisë moderne të ndërtimit të anijeve”, u shpreh Nufi gjatë konferencës për shtyp me gazetarët.
Gjithashtu, ministri Nufi u ndal edhe te hapja e shkollës ndërkombëtare të fluturimit në Shqipëri, e cila sipas tij përbën një tjetër investim strategjik për të ardhmen dhe një hap të rëndësishëm në transformimin dhe modernizimin e Forcës Ajrore.
Nufi tha se kjo nismë do të krijojë mundësinë që pilotët të trajnohen në Shqipëri dhe të pajisen me njohuritë e nevojshme për zhvillimin e operacioneve komplekse ajrore.
“Qasja e Qeverisë shqiptare është e qartë. Shqipëria nuk synon vetëm të investojë në pajisje dhe teknologji, por synon të ndërtojë dije, ekspertizë dhe kapacitete sipas standardeve më të larta bashkëkohore”, theksoi Nufi.
/e.i/j.p/