E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Transmetimi i statistikave financiare në Eurostat, hap drejt standardeve evropiane

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Instituti i Statistikave (INSTAT) bëri të ditur sot se procesi i transmetimit të Statistikave Financiare të Qeverisë (GFS) dhe të Procedurës së Deficitit të Tejskajshëm (EDP) në Eurostat është realizuar në përputhje me standardet metodologjike evropiane dhe nuk përbën “fshehje të të dhënave”, siç është interpretuar në disa media.

Në një deklaratë për mediat, INSTAT bëri të ditur se Raporti Vjetor 2025 evidenton progresin e arritur në harmonizimin e statistikave shqiptare me standardet e Eurostat-it, ndërsa për herë të parë gjatë vitit 2025 janë transmetuar në Eurostat të dhënat për periudhën 2021-2024 me statusin “For publication”.

Sipas INSTAT-it, ky zhvillim përfaqëson një avancim në procesin e integrimit evropian dhe rritjes së cilësisë së statistikave zyrtare, duke theksuar se statuset teknike të përdorura nga Eurostat lidhen me procedurat e validimit, kontrollit të cilësisë dhe verifikimit metodologjik të të dhënave.

INSTAT sqaroi gjithashtu se ndryshimet në numrin e takimeve institucionale ndërmjet viteve duhet të interpretohen në kontekstin e realizimit të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, një proces statistikor që kërkoi angazhim dhe koordinim të zgjeruar institucional.

Sipas INSTAT, ulja apo rritja e numrit të takimeve nuk përfaqëson domosdoshmërisht tregues të performancës institucionale, pasi gjatë periudhës së zhvillimit të Censit fokusi kryesor ishte përqendruar në realizimin e këtij operacioni kombëtar.

INSTAT ritheksoi angazhimin për prodhimin e statistikave zyrtare të pavarura, transparente dhe të besueshme, në përputhje me Ligjin për Statistikat Zyrtare, Kodin e Praktikës së Statistikave Evropiane dhe standardet e Sistemit Evropian të Statistikave.

Reagimi i INSTAT erdhi pas publikimit në media të interpretimeve mbi Raportin Vjetor 2025, ku u ngritën pretendime për mungesë transparence lidhur me transmetimin në Eurostat të të dhënave të Statistikave Financiare të Qeverisë dhe Procedurës së Deficitit të Tejskajshëm për vitet 2021-2024. Në artikullin e publikuar u përmendën gjithashtu vonesa në publikimin e disa statistikave sektoriale, si dhe rënia e numrit të takimeve informuese me publikun dhe median. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›