Rritet numri i lejeve të ndërtimit, mbi 20 miliardë lekë projekte të miratuara

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara në vend ka shënuar rritje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, si në numër ashtu edhe në sipërfaqen e planifikuar për ndërtim.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti janë miratuar 322 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një rritje prej 24,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u miratuan 258 leje.
Sipërfaqja totale e parashikuar për ndërtimet e reja arriti në 377 mijë metra katrorë, duke regjistruar një rritje prej 12,5% në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, vlera e përafërt e projekteve të miratuara, që përfshin ndërtesat dhe punimet inxhinierike, u vlerësua në 20.4 miliardë lekë, ose 1,6% më shumë se një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se ndërtimet për banim vijojnë të zënë peshën kryesore në treg, me 237 leje ndërtimi dhe një sipërfaqe totale prej 185,608 mijë metrash katrorë.
Nga ana tjetër, për ndërtesat jorezidente, si hotele, objekte tregtare dhe industriale, janë miratuar 85 leje ndërtimi me sipërfaqe totale prej 191,453 mijë metrash katrorë.
Sektori industrial rezulton të ketë zënë peshën më të madhe brenda ndërtesave jorezidente, me 35 leje ndërtimi dhe mbi 127 mijë metra katrorë sipërfaqe të planifikuar.
Sa i përket punimeve inxhinierike, investimet kryesore janë përqendruar në infrastrukturën e transportit, rrugë dhe autostrada, me një vlerë prej rreth 1,67 miliardë lekësh për ndërtimet e reja dhe 2,46 miliardë lekë për rikonstruksione.
INSTAT bëri të ditur se statistikat mbi lejet e ndërtimit bazohen aktualisht në të dhënat e raportuara nga bashkitë, ndërsa po punohet për përfshirjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse në një sistem të unifikuar raportimi statistikor, në përputhje me kuadrin ligjor për zhvillimin e territorit. /j.p/
