INSTAT: Çmimet u rritën në mars
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin mars shënoi një rritje prej 0.3 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, bëri të ditur INSTAT. Ndryshimi vjetor i indeksit në muajin mars (mars-2013/mars-2012) është 2.4 për qind (inflacioni). Një vit më parë ky ndryshim ishte 1 për qind. Krahasuar me muajin e mëparshëm, indeksi i grupit ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një rritje prej 1.2 për qind, ku peshën kryesore me 5.4 për qind e zinte nëngrupi fruta. Rritje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupin zarzavate, përfshirë patatet me 4.1 për qind, sheqer dhe ëmbëlsira me 0.5 për qind apo dhe mishi me 0.1 për qind. Në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi çmimet shënuan ulje ku mund të përmendim uljet në nëngrupet kafe, çaj e kakao me 1.3 për qind, qumësht, djathë e vezë me 0.2 për qind, peshk me 0.5 për qind etj. Indeksi i grupit Veshje dhe këpucë ka shënuar një ulje prej 0.3 për qind. Indeksi i grupit Transporti ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.1 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.1 për qind. Indeksi i grupit mallra dhe shërbime të tjera ka shënuar një ulje prej 4.6 për qind, ulje kjo që ka ardhur, sipas INSTAT-it, kryesisht si rezultat i reduktimit të tarifave të sigurimit të automjeteve.
A.K
INSTAT: Çmimet u rritën në mars burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email