INTERVISTA/ Paloka: PD-ja ka gati koalicionin për fitoren e zgjedhjeve, mbështesim zgjerimin me parti të qendrës së djathtë
“E djathta e ka koalicionin dhe është gjithçka e mundshme që me këtë koalicion të shkohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të rikonfirmuar fitoren siç ndodhi në 2005-ës dhe njëherazi për të rikonfirmuar mazhorancën aktuale. Sigurisht, zgjerimi i koalicionit me parti të tjera të qendrës së djathtë do të ndikojë pozitivisht dhe do të përqëndrojë votat. Koha është e mjaftueshme në dispozicion dhe i mjafton Partisë Demokratike për të vlerësuar pozitat me aleatët për në zgjedhje”
Deputeti demokrat Edi Paloka, deklaron se Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë përbërës, janë gati për në zgjedhjet kuvendore të qershorit 2009. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, Paloka shprehet edhe për zgjerimin e koalicionit me parti të tjera të qendrës së djathtë, në mënyrë që të mos humben votat gjatë procesit.
Partia Demokratike, ka filluar edhe procesin e zgjedhjeve, për të reformuar strukturat e saj.
Aktualisht sipas deputetit Paloka, po bëhen zgjedhjet dhe analizat nëpër seksione, dhe më pas në bazë të propozimeve të tyre, do të zhvillohen zgjedhjet për në strukturat e larta të PD.
Për sa u takon të rikthyerve në PD, Paloka thekson se ata tashmë janë të barabartë më të gjithë anëtarët e tjerë të partisë dhe se zgjedhja e tyre në postet drejtuese do të bëhet në bazë të meritës dhe kontributit.
Pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, i cili shënoi edhe fundin e një procesi të stërzgjatur, duke konkluduar reformën elektorale, përshpejtohen përgatitjet për në zgjedhje, duke nisur nga reformimi i partisë, në mënyrë që ti përshtatet sistemit të ri zgjedhor. Në këtë aspekt, si e gjykoni procesin e strukturimit të Partisë Demokratike?
Në fakt edhe kur Kodi Zgjedhor ishte në diskutim e sipër, ne hapëm procesin e zgjedhjeve në parti, gjithmonë me idenë që strukturimi ti përshtatet sistemit të ri elektoral, i cili realisht ishte miratuar si sistem dhe thjesht kishte mbetur miratimi i kodit, si një hallkë administrative. Pra procesi i zgjedhjeve ka filluar dhe po vazhdon në të gjitha strukturat e Partisë Demokratike. Fillimisht po bëhen zgjedhjet dhe analizat nëpër seksione, pastaj në bazë të propozimeve që do të bëjnë seksionet, do të zhvillohen edhe zgjedhjet për struktura më të larta vendim marrëse të PD. Është një proces që po ecën normalisht, jemi ende në etapën e reformimit të strukturave në bazë dhe më pas do të orientohemi drejt hallkave qendrore, të cilat për vetë specifikat e tyre mbeten strukturat më të rëndësishme për partinë, në të cilën gara tashmë është e hapur.
Në Partinë Demokratike janë rikthyer disa nga të larguarit vite më parë, kryesisht përfaqësuesit e ish-PDR, të cilët me anë të një marrëveshjeje me PD, u bënë pjesë e partisë më të madhe në vend. Si do të procedohet me aderimin e mëtejshëm të tyre në strukturat më të larta të selisë blu?
Sigurisht, për momentin ka një marrëveshje mes kryetarëve, që i kuoton disa prej anëtarëve të PDR-së në kryesi apo strukturat e larta të Partisë Demokratike. Ne jemi në proces zgjedhor dhe të gjithë, si ata që janë rikthyer ashtu edhe anëtarët e tjerë të PD, do t’u nënshtrohen zgjedhjeve të rregullta nëpër struktura. Nuk do të ketë asnjë element dallues apo ndryshues, gjithsecili në bazë të meritave, në bazë të konkurrencës dhe njëherazi në bazë të kontributit që ka dhënë, do të marrë ose jo mbështetjen e demokratëve. Pra, dua të bëj me dije se në këtë mes nuk do të ketë privilegje apo siç është folur për falje postesh, në asnjë mënyrë, përderisa ata zgjodhën shkrirjen me Partinë Demokratike, normalisht sot janë të barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj partie. Gjithçka do të ketë si referencë garën në zgjedhje brenda partisë. Sigurisht që ka pasur debat, mund të ketë pasur edhe pakënaqësi, por ajo që mbetet për t’u theksuar është se gara në Partinë Demokratike është e hapur dhe gjithkush në bazë të meritës dhe kontributit që vlerësohet, do të gëzojë edhe mbështetjen e gjerë.
Si do të funksionojë koalicioni i djathtë parazgjedhor, e shihni të nevojshme zgjerimin e tij me parti të tjera të qendrës së djathtë?
Në bazë të formulës së sistemit të ri zgjedhor, siç dihet kemi të bëjmë me koalicione të përbëra. Të gjitha partitë e një spektri politik hyjnë në marrëveshje me njëra-tjetrën dhe ndërtojnë koalicionin. Për sa i takon koalicionit të djathë, mund të them se ne e kemi koalicionin tonë, sigurisht mbetemi të hapur për zgjerimin e tij me parti të tjera të qendrës së djathtë. Në fakt e mira e Kodit të ri Zgjedhor, të sapo miratuar është se vërtetë koalicionet ekzistojnë dhe do të jenë në zgjedhje, por secila parti do të marrë votat e saj dhe në fund fare shërben për të mos humbur vota, të majta apo të djathta qofshin, se realisht është e njëjta gjë për të dyja palët, por në fund të fundit çdo parti do të marrë në elektorat votat që i takojnë dhe sigurisht që eliminimi i fenomenit të dushkut ka qenë një fitore e madhe në këtë kod zgjedhor. Megjithatë, dua të theksoj edhe njëherë, se e djathta e ka koalicionin dhe është gjithçka e mundshme që me këtë koalicion të shkohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të rikonfirmuar fitoren siç ndodhi në 2005-ës dhe njëherazi për të rikonfirmuar mazhorancën aktuale. Sigurisht, zgjerimi i koalicionit me parti të tjera të qendrës së djathtë do të ndikojë pozitivisht dhe do të përqendrojë votat. Koha është e mjaftueshme në dispozicion dhe i mjafton Partisë Demokratike për të vlerësuar pozitat me aleatët për në zgjedhje.
Duke iu referuar Kodit të ri Zgjedhor, a mendoni se më këtë kod, Shqipëria do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Siç e keni dëgjuar edhe nga ata që janë marrë direkt me kodin zgjedhor edhe nga specialistët, gjithashtu edhe nga deputetët, të majtë apo të djathtë, u deklarua se ky kod jep plotësisht zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kjo thuhet edhe nga opozita. Mendoj se komentet e mëtejshme janë të tepërta. Fakti është që pikat e para me të cilat është marrë komisioni ishin pikërisht vërejtjet e OSBE/ODIHR dhe pikërisht këto janë përmbushur me këtë kod. Madje edhe vetë prezenca e OSBE-së në vendin tonë ka qenë në mbështetje të këtij kodi. Tani, ky kod duhet të zbatohet me rigorozitet.
Mendoni se miratimi i kodit me një konsensus të gjerë, tregon se politika shqiptare është pjekur dhe është në gjendje t’u japë zgjidhje reformave të mëdha?
Ne si mazhorancë e kemi shprehur hapur vullnetin tonë në mënyrë tërësisht të qartë. Mbetemi të hapur që edhe për shumë çështje të tjera, bashkë me opozitën të japim zgjidhjen e duhur në mënyrë konsensuale. Miratimi i reformës zgjedhore me një konsensus të gjerë, tregon qartësisht se politika shqiptare, tashmë është e orientuar drejt përmbushjes së detyrimeve reformatore.
Sigurisht që kjo çështje, pra reforma zgjedhore, shkaktoi një debat të ashpër tek disa parti politike. Në këndvështrimin tuaj, cili ishte morali i këtyre partive të vogla që zgjodhën rrugën e grevës si mjet diversioni?
Ata kishin interesin e tyre dhe është një çështje që u përket vetë atyre. Unë mendoj se është e pamundur ti imponohesh një shumice siç është ajo që votoi kodin zgjedhor, me grevë urie. Është e drejtë e gjithsecilit të kërkojë të protestojë me format e lejueshme, por në fund të fundit demokracia është votë, dhe ata vetë e kanë deklaruar dhe pohuan se vota është e shenjtë. Përderisa ky kod mori në parlament një shumicë absolute votash, besoj se nuk ka shumë nevojë për komente të tjera.
Duke ditur se sistemi i ri zgjedhor kontestohet nga një grup forcash politike, sa rrezikohet standardi i zgjedhje të 2009-ës?
Nuk mund të them se cenohet standardi zgjedhor, edhe nëse këto parti zgjedhin bojkotimin e zgjedhjeve. Është një e drejtë e tyre, nëse duan apo jo të marrin pjesë në procesin elektoral.
...