INTERVISTA/ 23 qershori, jo thjesht zgjedhje, por fundi i një epoke
Publicisti dhe studiuesi i njohur po e ndjek me shumë kujdes fushatën elektorale në vijim. Ai kritikon sindromën e identifikimit të partisë me shtetin dhe absurdin e dekorit të shfrenuar partiak në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Misha polemizon me ata që predikojnë abstenimin, sepse, thotë ai, politikanët duhet ta dinë që çdo katër vjet populli ka mundësi t’i largojë me votë
Nga Skender Minxhozi, JAVA
Zoti Misha, në këto kohë të ethshme fushate, si ndjehet sipas jush ajo pjesë e shoqërisë që politikën nuk e ka në epiqendër të vëmendjes? Për shembull, kultura dhe libri, si i përshtaten kësaj klime, ku rëndom bërtitet, më parë se të flitet?
Në kohë zgjedhjesh politika pushton me arrogancë jo vetëm gjithë hapësirën publike, por në një masë të madhe dhe atë private, duke e bërë të pamundur çdo lloj jete normale. Mjafton të hapësh televizionin, apo të dalësh të dritare që të shohësh atë valëvitje absurde flamujsh partiakë që kanë pushtuar gjithçka! Në fakt, flamujt partiakë, një dukuri kjo unikale shqiptare, përfaqësojnë simbolikisht një prej deformimeve më të rënda që kanë ndodhur në demokracinë shqiptare: faktin që tek ne partitë, natyrisht para së gjithash ajo që është në pushtet, janë të plotfuqishme; të gjithë e dinë se një flamur partiak i partisë në pushtet të mbron, si ajo hajmalia, nga ligji, nga vetë shteti.
Dje më rastisi të shihja katër a pesë makina plot me flamuj e militantë, që për orë të tëra u vërtitën me shpejtësi të madhe rrugëve të qendrës së Tiranës, duke i rënë fort burive e duke shkelur çdo rregull të qarkullimit rrugor, para syve të policëve që bënin sikur si shihnin! Në çvend tjetër mund të ndodhë kjo! Në çvend tjetër të Europës demokratike mund të ndodhë ajo që pashë para dy tre ditësh në autostradën e re të Tiranës, ku ngado qe shkruar: Këtë rrugë e ka ndërtuar Partia Demokratike! Pyetja normale që duhet të bënte çdokush është: çpunë ka një parti me ndërtimin e rrugëve! Por tek ne prej kohe anormalja është kthyer në normalitet, ndaj dhe fatkeqësisht, gjëra të tilla si bëjnë më ndonjë përshtypje askujt.
E gjithë kjo bëhet pjesë e çdo individi. Askush smund ti shpëtojë. Siç nuk mund ti shpëtojë dot frikës së turbullt që ndjen përbrenda gjithkush, për atë që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve. Për fat të keq, në shoqërinë tonë tejet të polarizuar, prej vitesh tashmë zgjedhjet janë kthyer në një ndeshje dramatike, që e ka bazën pikërisht te logjika, sipas së cilës, partia që fiton mandatin për të qeverisur për katër vjet, e identifikon veten me vetë shtetin, madje duke e zëvendësuar atë, që ta shndërrojë gjithnjë e më shumë në një instrument për të kontrolluar gjithçka, në emër të një grupi që sa vjen e ngushtohet. Kësisoj, mbarë shoqëria ndahet në ata që e ndjejnë veten përfitues të pushtetit, dhe pjesës tjetër, të humburve, që ndjehen të margjinalizuar, të përjashtuar, të shpërfillur. Pra, në kushte të tilla kuptohet përse zgjedhjet, më shumë se një garë demokratike, marrin tiparet e një përplasjeje dramatike, që priret të përfshijë në vorbullën e saj çdo qelizë të shoqërisë.
Ndërkohë, sigurisht çdo individ përpiqet që në mënyre të ndryshme të ngrejë mekanizmat e tij mbrojtës. Kështu dhe unë jam munduar ti krijoj vetes një strehë sado të vogël, qoftë duke u përpjekur të vazhdoj punët e mia të zakonshme, që më largojnë sado pak nga emocionet e zgjedhjeve. Qoftë duke zgjedhur të lexoj një libër magjepsës, me titull Armiku te porta, me autor Andrew Wheatcroft, që ka në qendër një temë që, së paku në sipërfaqe, është tepër larg aktualitetit e halleve tona: rrethimin osman të Vjenës të vitit 1683, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kohëve moderne, duke qenë se shënon fillim e rënies së Perandorisë Otomane.
Si po e përjetoni fushatën zgjedhore? Cila është qasja juaj ndaj zulmës së madhe elektorale? Fikni televizorin, nuk lexoni shtypin, apo e kundërta?
Përkundrazi, unë jam gjithnjë ndjekës mjaft i vëmendshëm i jetës politike. Aq më tepër që, pavarësisht bezdisë së natyrshme që më sjellin shumë aspekte të një fushate partiake, kam bindjen se këto zgjedhje dhe vendimi që do japë populli shqiptar më 23 qershor, në një farë mënyre do kenë një ndikim të madh për vetë të ardhmen e afërt të vendit tonë. Shpresoj sinqerisht (ndonëse e di se ndoshta jam tepër optimist) që këto zgjedhje të shënojnë fundin e një epoke. Ndaj dhe besoj që të gjithë, kush më pak e kush më shumë, në mënyrë të vetëdijshme apo jo, e ndjejnë se kësaj here ajo që është në lojë shkon përtej thjeshtë një ndërrimi pushteti. Së paku, shpresoj.
Është hapur një debat rreth votës së dobishme, pra votimit të njëri prej dy koalicioneve, votës së pavlefshme, pra mosvotimit të asnjërës prej ofertave, apo votës së diçkaje të re, e cila realisht nuk është e lehtë të gjendet. Pa ju kërkuar një deklarim vote, parimisht cila ide është më racionale, sipas mendimit tuaj?
E kam ndjekur këtë debat dhe sinqerisht më duket se në një kontekst si ky yni, qasje të tilla abstrakte, moralizuese, që bëjnë thirrje për të mos votuar, me pretendimin se në fund të fundit, të gjitha palët janë njëlloj, në fakt shërbejnë vetëm për të ruajtur status-kuonë. Sigurisht, ka shumë arsye për të kritikuar mbarë klasën tonë politike. Por, për mendimin tim, në një demokraci kaq të brishtë si kjo jona, ku për më tepër sështë e vështirë të dallohet tundimi ndaj prirjes autoritare, vetë rotacioni përbën një domosdoshmëri. Sepse ka shumë rëndësi që çdo politikan e zyrtar (por dhe klientelat që i rrethojnë), ta dinë se çdo katër vjet vjen dita kur populli ka mundësi ti largojë dhe atëherë ata ka të ngjarë të japin llogari për sa kanë bërë.
Le të përpiqemi të abstragojmë një moment, duke tejkaluar pyetjen klishe rreth fituesit dhe humbësit të 23 qershorit. Si e parashikoni Shqipërinë e paszgjedhjeve?
Çështë e vërteta, e kam disi të vështirë ta çoj vështrimin përtej ditës së zgjedhjeve, duke e ditur se përvoja na ka mësuar se shumëçka do varet nga mënyra sesi do shkojnë gjërat ato dy tre ditë. Urimi im i parë ka të bëjë pikërisht me zgjedhjet, duke shpresuar që në fund të këtij muaji do kemi mundësi ti japim fund kapitullit dramatik të zgjedhjeve të dyshimta, duke hapur kësisoj një faqe të re në historinë tonë. Në fakt, jam i bindur se fakti që deri më sot pothuajse asnjë herë skemi arritur të organizojmë zgjedhje plotësisht të rregullta, përbën atë mëkat origjinal, prej nga rrjedhin shumë prej deformimeve të tjera të jetës shqiptare. Ndaj