E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama mashtron për legalizimet, do anulojë ligjin që njeh banesat

berishaKryeministri Sali Berisha i cilësoi si gënjeshtra deklaratat e bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për procesin e legalizimeve. Teksa mori pjesë në ceremoninë e rikonstruksionit të rrugës së Dibrës në kryeqytet, kryeministri Berisha tha se deklaratat e bëra nga Rama janë vetëm për të marrë vota ndërsa u premtoi banorëve se brenda këtij vitit qeveria do të përfundojë procesin e legalizimeve.
Deklarata
Qytetarët që kanë banesa për legalizim. Vëllezër, Edi Rama është armik për jetë e vdekje i ndërtimeve tuaja. Mos u mashtroni prej tij. Sa ishte kryetar bashkia iu tregoi buldozierët dhe rruspat. Ju konsideroi çeçenë, shpellarë etj. Edi Rama deklaroi se do anulojë ligjin që njeh banesat tuaja. Të gjithëve do tu thotë shkoni nga keni ardhur. Asnjë qeveri në një vend të lirë, askurrkush nuk mund ti falë kujt pronën e tjetrit. Nuk ka gjykatë që të pranojë që një qeveri të falë pronën e privatit tek një privat tjetër. Ky është një mashtrim i paskrupullt, për tju marrë votën e pastaj për tju thënë, shkoni nga keni ardhur, deklaroi Berisha. Duke u ndalur tek kryeqyteti, kreu i qeverisë premtoi të tjera investime për ti dhënë Tiranës pamjen që meriton ndërsa vlerësoi maksimalisht planin urbanistik të miratuar së fundmi. Projekti i katër viteve që vijnë është projekti i Tiranës së zhvilluar, të punësimit, Tiranës së integruar në BE. Rindërtimi i rrugës së Dibrës është një nga veprat në të cilat Bashkia e Tiranës dhe kryetari që u zgjodh në maj të 2011-ës po ndryshon Tiranën. Vepra të tjera të mëdha do ti japin Tiranës pamjen që meriton. Plani urbanistik është i bazuar në drejtësinë sociale, zhvillimin e pronës, qëndrimin e barabartë para qytetarëve. Plani është Kushtetuta që do zbatohet dhe që u dha fund njëherë e mirë sekserëve, u shpreh kryeministri Sali Berisha.

Topalli: Mandatin e ardhshëm prioritet shëndetësia
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli zhvilloi një bashkëbisedim me mjekë dhe infermierë të spitalit të Shkodrës. Duke renditur disa prej arritjeve të qeverisë gjatë këtyre tetë viteve në sistemin shëndetësor në vend, Topalli tha se në mandatin e ardhshëm qeveria do të rris investimet për këtë sektor. Duke folur për reformën në shëndetësi, Jozefina Topalli tha se shumë vendime të Këshillit të Ministrave dhe ligje kanë ardhur në Parlament për të shumëfishuar fondet, për shtimin e numrit te barnave etj. Janë shtuar investimet për sektorin e shëndetësisë, për ndërtimin e spitaleve të reja, për futjen e teknologjive bashkëkohore”, theksoi Topalli.

Topi: Parlamenti është zhvendosur nën thundrën e ekzekutivit

Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi zhvilloi një takim me banorë të zonës së Xhamisë së Yrshekut në Tiranë. Në fjalën e tij, Topi tha se FRD garon e vetme në këto zgjedhje por gëzon një mbështetje të madhe të qytetarëve. Mjaft familje mbahen me një rrogë dhe janë të gjithë të mirëkuptuar, por nuk ka gjë më të mirë kur sheh njerëz që kanë ardhur në takim pa i detyruar njeri. Unë sot jam këtu në emër të një misioni qytetar, në krye të FRD-së, një forcë e re politike që ka dëshmuar karakter të fortë politik që futet në këto zgjedhje e vetme, por e pasur qytetarë, tha Topi. Në vijim, kreu i FRD-së akuzoi edhe funksionimin e parlamentit gjatë kësaj legjislature. Parlamenti shqiptar duhet të kishte performancën e një parlamenti dinjitoz, nuk e ka ofruar, parlamenti është zhvendosur nën thundrën e ekzekutivit. Ai është kthyer në një institucion ku deputet shkojnë vetëm për të marrë rrogën dhe nuk janë influence për zgjidhje te mëtejshme, meraku më i madh nuk është për Parlamentin që iku pasi në të shumtën e kohës ai ka funksionuar me gjysmën legjislative, por për të ardhmen, deklaroi Bamir Topi. Kreu i FRD-së, akuzoi dy liderët e partive të mëdha se po u ofrojnë qytetarëve gjatë kësaj fushate elektorale vetëm demagogji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›