INTERVISTA/ Dritan Prifti: Ju rrëfej takimet e mia me Ramën për kasetën
Deputeti Dritan Prifti, i mbetur i pavarur, rrëfen të fshehtat e videos që shkaktoi demonstratën e 21 janarit si dhe vendimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Nga Lindita Çela
Nga mënyra se si rrodhën ngjarjet politike në vend, mund të thuash pa frikë se Dritan Prifti është viktima e urrejtjes dhe dashurisë mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Njeriu, që në vitin 2009 ishte kumbari i aleancës së Ilir Metës me Sali Berishën, sot është i braktisur, qoftë nga të djathtët ashtu dhe të majtët. Bashkëjetesa me Sali Berishën i ka kushtuar po aq shtrenjtë Dritan Priftit sa dhe denoncimi i një videoje, ku Meta shfaqej në zë e figurë me bllok në dorë duke bërë hesape mija eurosh.
Sot Dritan Prifti është vetëm, aq vetëm sa nuk guxon të kandidojë në zonën ku thotë se i ka të sigurt 10.000 vota si individ. Është vetëm, por ka shumë çtë rrëfej ënga e kaluara e afërt që ndau, në dukje deri në vdekje, dy njerëz që sot janë ribashkuar për Rilindje.
Në një intervistë për TemA-n, Dritan Prifti rrëfen takimet e fshehta me liderin socialist që në vitin 2011 kërkonte të denigronte me çdo çmim Ilir Metën. Prifti rrëfen qëndrimin e tij për koalicionin e së majtës si dhe fatin e qeverisë së ardhshme, flet për koalicionet e pozicionin e tij në zgjedhjet e 23 qershorit. Sa i përket Metës? Për Priftin nuk ka asnjë çudi nëse ai do i rikthehet miqësisë së vjetër me Sali Berishën.
Z. Prifti, tashmë që kanë kaluar më shumë se një javë nga koalicioni Rama- Meta, a ka kaluar në gojën tuaj shija e baltës për të përtypur një marrëveshje të tillë?
S’besoj se do më kalojë kjo shije për shumë kohë. Përpara se të shfaqja në emision Fiks Fare videon e Metës, Rama më ftonte çdo natë për të më mbushur mendjen ta shfaqja atë. Në fillim më kërkoi takim të fshehte tek hoteli i Tan Lepurit në plazh në Durrës. Ishte dhe Gramoz Ruçi e Tom Doshi në atë takim. Pastaj jam takuar fshehurazi tek zyra e Fidelit në Tiranë. Pastaj dhjetëra herë në Pezë. Pastaj tek hoteli i Dash Pezës. Pastaj tek shtëpia e Tom Doshit disa herë. Kemi ngrënë e pirë nëpër lokale të ndryshme. Më ka premtuar qiellin, vetëm tek shfaqja atë video kundër Metës. Donte ta shfaqte një ditë dhe më parë. Ju lut vetë Top Channel që ta shfaqte. Unë nuk pranoja ta shfaqja në dhjetor sepse kishte përmbytje të mëdha në Shkodër dhe më dukej shumë cinike dhe mungesë respekti për ata njerëz që vuanin në Shkodër. Gjithë shteti ishte përqendruar për të ndihmuar të përmbyturit.
Rama ngulte këmbë të nxirrnim videon, por unë pranova vetëm kur ikën përmbytjet. Kur botoi Kurbanin, Rama më telefonoi dhe më pyeti nëse më pëlqen përshkrimi që i ka bërë Metës. Pyeste dhe qeshtë. Kur kujtoj ato kohë, më vjen ndot nga hipokrizia që shoh sot. Mbas denoncimit tim me video, por edhe në Prokurori e gjykatë të Ilir Metës, mbas shembujve të pafund të korrupsionit të zyrtarëve të LSI-së në qeverisje 4 vjeçare me Berishën, partia e Metës ishte e sakatuar në sytë e elektoratit.
Nuk e kuptoj arsyen pse Rama po e ringjall këtë force politike. LSI sot është me pak se 2% në sondazhe dhe nuk do merrte pothuaj asnjë deputetë në këto zgjedhje. Nuk e kuptoj çfarë e shtyu Ramën që ti ofrojë Metës 4 vende deputetësh brenda listave të PS-së. Nuk e kuptoj pse duhej Rama ti hiqte gjithë kartën morale opozitës për këto zgjedhje, duke e bërë veten thellësisht pis. Rama e pastroi Berishën nga pjesa më e përfolur e qeverisjes 4- vjeçare. Rama ka shokuar në maksimum elektoratin e majtë me këtë lëvizje, aq sa një pjesë e madhe e tij nuk shohin më arsye për të votuar. Në sytë e socialistëve të thjeshtë, Berisha, Meta dhe Rama tani janë prej një brumi dhe nuk motivojnë, nuk japin shpresë, nuk ofrojnë ndryshim.
Aktualisht në opinionin publik duket se janë të shumtë zërat që po kërkojnë ta justifikojnë këtë koalicion më qëllimin e vetëm të largimit të Sali Berishës nga pushteti, ju i qëndroni kësaj teze?
Kjo lëvizje i ka dhënë shpresë Berishës për të rifituar zgjedhjet. Aleati i tij LSI-së nuk kishte asnjë shpresë të merrte ndonjë mandat në koalicion me Berishën. Duke kaluar majtas me PS-në, LSI ka arsye të rimashtrojë të majtët, të marrë ndonjë votë më shumë. Unë jam i bindur, si drita e diellit, se Meta është akoma në marrëveshje të fshehtë me Berishën. Votat që do marrë majtas, ai përsëri do ti çojë tek Berisha. Jam i sigurt që pas zgjedhjeve, Meta do ti kërkojë Ramës të bëhet Kryeministër. Pas refuzimit nga PS dhe Rama, kjo do ti japë Metës motivin e duhur të shkoj përsëri tek Berisha. LSI është si Kali i Trojës brenda koalicionit të majtë, është aty për ta shkatërruar të majtën, për të asgjësuar pjesën e shëndoshë të PS-së, dhe për ti shërbyer vetëm vetes në këtë histori.
(VERSIONIN E PLOTE TE INTERVISTES E GJENI NE GAZETEN TEMA NE PRINT)