Brukseli dërgon me urgjencë një ekspert të çështjeve ligjore: Po cenohet pavarësia e KQZ-së
Komuniteti ndërkombëtar duket se po ushtron presion ndaj politikës në Shqipëri që të mos nxitojë me zëvendësimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Komisioni Evropian e ka cilësuar si cenim të pavarësisë së KQZ-së vendimin e Partisë Demokratike për të shkarkuar anëtarin e LSI. Zëdhënësi i Komisionit, Peter Stano, theksoi se të gjitha partitë politike e kanë për detyrë që të garantojnë një KQZ të pavarur dhe të besueshme.
Stano thekson se me këtë vendim po cenohet edhe konsensusi mes qeverisë dhe opozitës.
Komisioni dëshiron të nënvizojë se sipas kodit elektoral shqiptar, zgjedhja e trupës administrative duhet të përmbushë detyrat në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Ata duhet të funksionojnë normalisht dhe në një mënyrë transparente e jo-partizane. Pavarësia e KQZ-së, anëtarët e të cilit zgjidhen për një mandat 6-vjeçar dhe janë zotuar për të ruajtur paanshmërinë pas marrjes së detyrës, duhet garantuar. Të gjitha partitë politike kanë një detyrim për të siguruar kredibilitetin e KQZ-së dhe të besojnë në punën e saj. Marrëveshja për kodin zgjedhor në Shqipëri vitin e kaluar ishte një shenjë e qartë e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës për të çuar vendin përpara në rrugën e saj demokratike. Komisioni i bën thirrje të gjitha palëve politike që urgjentisht ti rikthehen konsensusit për hir të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve e saj, tha Stano për Vizion Plus.
Ndërkohë përpjekjet e nisura nga maxhoranca në Komisionin e Ligjeve, për të liruar nga detyra anëtarin e LSI-së në KQZ Ilirjan Muho kanë alarmuar faktorin ndërkombëtar në Tiranë.
Top Channel, nga burime diplomatike ka mësuar se misioni BE-së në Tiranë ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për çështjet ligjore, që lidhen me zgjedhjet. Ai është Nikolai Vulçanov, një emër i njohur në fushën e legjislacionit zgjedhor, ish-drejtues i disa misioneve të ODIHR-it në vëzhgimin e zgjedhjeve në disa vende.
Po të njëjtat burime pohojnë se Vulçanov është kërkuar të vijë në Tiranë, për të dhënë ekspertizën e tij në lidhje me zhvillimet që lidhen me KQZ-në.
Delegacioni BE-së nuk është ngutur të japë opinionin e tij për këtë çështje kaq të nxehtë, por paraprakisht ka kërkuar të ketë opinionin e specializuar të Vulçanov.
Vulçanov aktualisht punon si ekspert për komisionin e Venecias./ep