INTERVISTA/ Fatos Nano: Gjithmonë e kam një listë me deputetë dalëzotsa
studimepolitike.com
Z.Nano është përpjekja juaj e tretë, në rrugën drejt postit të presidentit, në fakt është hera e dytë që hyni në garë. Duket se hapësirat në këto dy gara kanë qenë të ngushta për ju. Pse mendoni se është ngushtuar kjo hapësirë, kush druhet nga zgjedhja juaj si president. A keni bërë një analizë?
Kjo dëshmon as më shumë e as me pak por dashurinë time të madhe për garën, por mbi të gjitha dashurinë e përkushtimin tim për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri, për demokratizimin e mëtejshëm, rritjen e nivelit dhe kualitetit të lirisë sidomos e kombinuar kjo me drejtësinë, zhvillimin e shëndetshëm ekonomik, forcimin e shtetit të së drejtës, përfaqësimin e denjë dhe efektiv të interesave të të gjithë shqiptarëve, e sigurisht europianizimi i kombit tonë, i cili është edhe një ndër kombet më të vjetra në Kontinent. Kur politika e ditës cenon kualitetin e demokracisë, kur loja e pushtetit mbyt garën dhe çlirimin e energjive më pozitive të shoqërisë shqiptarë, atëherë e vetmja mënyrë për ta zhbërë aktin dhe kulturën e gabuar, është duke konkurruar dhe vetëm konkurruar. Nuk janë vetëm këto të dyja që ju përmendni garat e mia. Janë shumë garat e mia. Une jam në garë me vetveten. Unë përpiqem të përsosem çdo ditë i ndërgjegjshëm se kjo është gjimnastika më e vështirë. E sfidoj vetveten drejt përsosjes si individ, si familjar, si qytetar, si politikan e si shtetar. Ndaj edhe i motivuar nga ky proces e kjo dëshirë jam i vendosur që ta përcjell mundësinë e kapacitetin e përsosjes edhe në shoqërinë shqiptare, kulturën politike, institucionet shqiptare. Nuk jam i prirur të marr formën e ngushticave kur garoj, por jam i vendosur ti zgjeroj hapësirat nëpërmjet konkurrimit me ide, vizion, dijeni, kulturën e duhur demokratike e perëndimore, parime, e transparence. Une nuk mund ti lejoj vetes të marr formën e sistemit kur ai është i gabuar, por e konkurroj sistemin me modelin më të mirë në sjellje e mendësi për ta ndryshuar e transformuar sistemin. Ne politikanët, sidomos ne ata pak shtetarë që kemi qenë Presidentë Republike, Kryetarë Kuvendi, Kryeministra në këtë vend, kemi detyrimin moral, qytetar e politik që për Shqipërinë dhe shqiptarët të dëshmojmë se i duam duke u vetëofruar për tu shërbyer në shpërbërjen e së keqes e çlirimin e së mirës. I kam bërë të gjitha analizat e i kam hyrë serish konkurrimit me qetësinë se di të fitoj sikurse di të pranoj me dinjitet edhe humbje. Sidoqoftë qëllimi im parësor është transformimi pozitiv i mendësive, shprehive, koncepteve, kulturës demokratike që kemi në vendin tonë për ti bërë ato sa më të përputhshme me europianizimin, e që një ditë të bëhemi e ndihemi qytetare, anëtarë të denjë të BE.
A mendoni se politika në Shqipëri pavarësisht të gjithave mendon se kandidimi juaj nuk ka kuptim. Kur keni qenë kryeministër nuk mund të thuhet se keni gëzuar mbështetje më shumë se sa elektorati i majtë dhe keni qenë i përfshirë në një betejë politike partizane me Z Berisha. A është kjo një pengesë që ju të quheni kandidat i të gjithëve ose një figurë politike që të përfaqësojë unitetin siç pretendoni?
Kultura e gabuar e shtrati postdiktatorial në të cilin vazhdon të shtrihet politika shqiptare, mund të arsyetojë e gjykojë shumë gjera si gabime a pengesa. Përderisa unë jam garues i paepur, le të themi se edhe në këtë kontekst jam i gatshëm ti konkurroj mendësi të tilla, të cilat mbyllin cikle, mbyllin rrugë e ngrenë hendeqe. Un jam garues i paepur për tejkalimin e hendeqeve, hapjen e rrugëve, si edhe ndërtimin e cikleve më demokratizuese, më liridashëse, më drejtësidashëse e më perendimdashëse në vendin tonë. Partinë Socialiste nga një parti e sapo dalë nga diktatura komuniste me gjithë ngarkesën, konjukturat, strukturat, interesat, mendësitë që ajo mbartte, e kam transformuar në një Parti Socialiste moderne, europiane, liberale e me shpirt garues dhe ide të reja e të pashtershme. Kam transformuar shtetin shqiptar kur e mora në dorëzim të rrënuar në vitin 1997, nga një shtet i asgjësuar në një shtet me Kushtetutë, me institucione të forta e të qëndrueshme, me prirje të qarta e të forta pro europiane. Kam garuar nëpërmjet Partise Socialiste për tu shërbyer të gjithë shqiptarëve. Kam konkuruar me z.Berisha e asnjëhere nuk ka ndodhur që konkurimi ynë ta ndajë Shqipërinë në mes. Konkurrimi ynë ka qënë përherë i bashkëshoqëruar me kujdesin që Ish-Presidenti Berisha asokohe dhe Kryeministri Nano të silleshin si shtetarë në gatishmëri e shërbim të të gjithë shqiptareve, por sigurisht të autorizuar si fitues e humbës në garë sipas rastit, nga pjesët mbështëtëse përkatëse. Por shërbimi ka qenë për të gjithë shqiptarët. Për një shtetar, e pjesshmja është gjithmonë vetëm pikënisja. Qëllimi mbetet i palëvizshëm, pra shërbimi ndaj të përbashkëtës. Patjetër që unë i kam të gjitha mundësitë dhe të gjitha cilësitë për ta kërkuar dhe merituar pikënisjen nga e pjesshmja, pra nga Partia Socialiste dhe mbështetjen nga i gjithë spektri për të shërbyer si simbol i Unitetit Kombëtar. Ndërgjegjësimi im, përvoja ime, dijenitë e mia, mundësitë e mia përkushtimi im për ti shërbyer të përbashkëtës, më jep mua një pafundësi arsyesh për tu pikëtakuar e për tu gjithëpranuar nga të gjitha Partitë politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.
Në se i referohemi përpjekjeve tuaja për tu bërë president, në vitin 2002, dhe në vitin 2007, ka një përsëritje të historisë por ka edhe të ndryshmet e veta. Cilat janë veçoritë sipas jush, në këtë proces duke pasur parasysh se aktorët janë të njëjtit, por në pozicione të ndryshme?
Veçoria? Pikërisht gjimnastika e përsosjes që unë kam bërë me vetveten. Ndihem i ripërtërirë, ndaj edhe kam ardhur që të garoj e konkurroj për ta ripërtërirë edhe sistemin që vërehet qartazi se është mpirë, deformuar, keqtrajtësuar, mbytur dhe akaparuar nga një grusht njerëzish me mendësitë dhe sjelljet e pavolitshme për një vend normal demokratik dhe europian. Do ta sfidoj sistemin nëpërmjet garës, e nëpërmjet modelit që e ka të përditshme e të pareshtur gjimnastikën e përsosjes. Dua të bëhem inkurajues e bashkautor me të gjithë qytetarët shqiptarë në këtë gjimnastikë të përsosjes së vetvetes sonë të gjithë individualisht, për ta përsosur shoqërinë e vendin tonë të gjithë së bashku. Mjaft më me dyshimet, mosbesimin, pazaret, klientelizmin, mbytjen e lirive e demokracisë brenda partive por edhe në institucione, keqtrajtimin e drejtësisë, padrejtësitë sociale, çdinjitetëzimin e qytetarit. Kjo gjendje nuk duhet toleruar më. Vendi ynë ka nevoje per ripërtëritje morale, shpirtërore, kulturore dhe sjellore. E megjithatë duhet thënë se kjo është një sfidë që nuk ka një afat skadence. Kërkohet mirëbesim dhe këmbëngulje e gjithëshpirtshme.
Në se do tju duhet të përcaktoni pas një analize të kujdesshme, argumentet që bindin faktorët kryesor të përcaktimit të presidentit të ri, që jut ë jeni kandidati konsensual për president, si do ti drejtoheshit ju:a)
