E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Selami Xhepa: Humbjen e sollën qeveritarët arrogantë

selami-xhepaIsh-deputeti i Partisë Demokratike, Selami Xhepa, rendit disa prej arsyeve që çuan në humbjen e thellë të kësaj force politike në zgjedhjet e 23 qershorit. Në një intervistë për gazetën Panorama ai thotë se listat, niveli i lartë i korrupsionit, treguesit e këqij ekonomikë dhe mosndryshimi për një kohë të gjatë i kabinetit qeveritar, janë vetëm disa nga shkaqet që e çuan PD-në në opozitë. Ai vlerëson dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, por shton se kryetari në detyrë do të dominojë sërish jetën politike të kësaj partie.

Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 23 qershorit me një rezultat shumë të thellë. Si e gjykoni këtë votë kundër së djathtës?

Humbja e thellë dhe ndëshkuese që mori PD-ja në zgjedhjet e 23 qershorit është një mesazh që vjen nga qytetarët për mënyrën e qeverisjes, veçanërisht të katër viteve të fundit, një mesazh që duhet lexuar dhe reflektuar me vëmendje dhe me gjakftohtësi. Mendoj se qytetarët kanë një kulturë politike pretenduese, kanë nevojë për një model qeverisjeje të pastër dhe reaguese ndaj paaftësisë apo korrupsionit, për një qeveri që nuk e dominon jetën e qytetarëve, por dominohet prej tyre, për zyrtarë qeveritarë të përunjur e dëgjues, dhe jo arrogantë e inatçorë, qytetarët kanë nevojë ti dëgjosh më shumë e më shpesh dhe më pak tiu japësh leksione e tiu mbash fjalime, qytetarët janë mirëkuptues kur e shohin pamundësinë për të bërë më shumë investime apo financuar më shumë projekte, por nuk e përcjellin dot hipokrizinë e trumbetimit të bollëkut në kohën e fukarallëkut. Shkurt, qytetarët mund të qeverisen me moral, dhe jo me statistika. Me sa duket, tetë vite janë shumë për një forcë politike që të vijojë qeverisjen edhe për më shumë, sidomos për një vend në tranzicion si Shqipëria, ku jo vetëm problemet janë madhore, por dhe ku mosndryshimet në kabinetet qeveritare për një kohë kaq të gjatë kishin krijuar një lloj tejngopjeje të publikut. Nga ana tjetër, duke qenë forcë në qeverisje, PD-ja vetë, në vend që të thellonte reformimin e vetvetes dhe strukturave të saj, në fakt shkoi drejt mbylljes, inaktivitetit dhe atrofizimit. Pra, modeli politik partiak, por edhe modeli qeverisës, mendoj se pësuan një gërryerje domethënëse, gjë që u duk qartë me votën ndëshkuese të qytetarëve.

Cilat janë, sipas jush, arsyet e kësaj humbjeje?

Në gjykimin tim, thelbi i problemit është ai moral, është bjerrja e besimit të publikut për ditë e më shumë nga sjellja politike arrogante, e manifestuar në debatin politik shumë të politizuar dhe jo i orientuar në zgjidhjen e problemeve reale të vendit, ndërmarrja e nismave politike shpeshherë në kundërshtim të hapur me opinionin publik qytetar, mungesa e iniciativave politike për të kryer disa reforma dhe për të pasur arritje në disa sektorë kyçë për jetën e vendit, veçanërisht në përmirësimin e sistemit gjyqësor dhe funksionimin e ligjit, në luftën ndaj korrupsionit, në çështjet e pronës etj. Reformat e munguara në fushën e demokratizimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe forcimit të institucioneve dhe të administratës publike binin ndesh me rritjen e pretendimeve të publikut dhe me trendin e kohës. Këto prirje nuk u lexuan si duhet nga politika dhe qeveria.

Ka ndikuar këtu edhe gjendja ekonomike e vendit?

Nga ana tjetër, edhe dobësitë e manifestuara të ekonomisë gjatë këtij mandate kanë rolin e tyre ndikues. Financat publike pësuan përkeqësim dhe disiplina fiskale e tatimore ka rënë ndjeshëm. Reformat e dixhitalizimit të shërbimeve fiskale e tatimore të filluara që në mandatin e parë, nuk dhanë rezultatet e pritshme besoj kryesisht për shkak të rezistencës së administratës, dhe jo të vetë teknologjisë.

Prokurimet publike të dixhitalizuara në shkallë vendi nuk mundën të ndryshonin perceptimin mbi zbatimin e përhapur të praktikave korruptive në këtë proces. Rënia e të ardhurave të buxhetit dhe  shtimi i sforcuar i investimeve publike nëpërmjet borxheve, megjithëse parandaloi një rënie në recension të ekonomisë, sërish është parë me dyshim nga sektori privat dhe nga tregu. Në veçanti kriza në vendet fqinje shteroi burime të rëndësishme të të ardhurave për një pjesë të madhe të familjeve, duke i çuar ata drejt kërcënimit të varfërisë ekonomike ose në një rënie të ndjeshme të mirëqenies, e ndihmuar kjo edhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve në tregjet e mallrave. Nga ana tjetër, Ministria e Çështjeve Sociale ishte krejt e paaftë për të ndërmarrë në kohën e duhur reformat e skemave të mbështetjes  sociale, duke lejuar kështu që grupe shoqërore të caktuara të vuanin seriozisht pasojat e krizës. Disa programe shumë të rëndësishme dhe novatore i ndërmori PD-ja që në fillimet e veta, siç ishte ai i subvencionimit në bujqësi, duhet të ishin rritur ndjeshëm me financim, duke përfshirë edhe lehtësimin e kostove  të shërbimit bujqësor, gjë që do të kishte pasur një efekt  shumë domethënës te pjesa më e madhe e popullsisë së vendit. Të gjitha këto të marra së bashku përbëjnë një motiv të mjaftueshëm për ndëshkim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›