Brokaj: Rama dhe Meta kanë shansin historik që të vendosin shtetin ligjor dhe demokratik
Anëtari i Këshillit të të Urtëve të PS-së, Sabit Brokaj, e konsideron një shans historik atë që i është dhënë Ramës dhe Metës për të vendosur në Shqipëri shtetin ligjor dhe demokratik.
Unë isha i sigurt se do të fitohej, por nuk e prisja të kësaj përmase. Në njëfarë mënyre populli arrihej të lexohej, pavarësisht mundësive që kishte për tu shprehur. Ajo që është e qartë lidhet me faktin se ky popull donte të hiqte qafe Sali Berishën, pavarësisht sesa pozitivisht mendonte për të majtën. Ata u duk se kishin një qëllim të qartë me votën e tyre: Berisha duhet të ikte!, shprehet Brokaj.
Sipas tij qeveria e re dhe e majta kanë një shans historik. Për mendimin tim, me largimin e Berishës ka lindur pluralizmi real dhe demokracia e vërtetë. Pra ky është moment vërtet historik, pavarësisht se në termin historik e përdorim dhe kur ngjarjet janë disaorëshe. Ky është një moment, i cili i jep fund kaosit dhe tranzicionit, i cili kishte të bënte vetëm me shembjen normale të një sistemi, por jo me krijimin real të demokracisë pluraliste. 22 vjet më parë ishte shembja e një shteti, por Shqipëria ende edhe sot ka ngelur pa shtet të organizuar, etj. Ajo është pa institucione, pa drejtësi, pa shërbime, pa arsim të mirëorganizuar etj. Pra, në këtë gjendje që e merr e majta qeverisjen e vendit do të ketë shumë probleme, por do të ketë një shans të madh, atë të vendosjes së gurit të themelit të ndërtimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Me votën plebishitare që shqiptarët i dhanë, ajo i ka mundësitë ta bëjë këtë plotësisht. Në seancat e para të parlamentit duhen bërë rregullimet e Kushtetutës dhe kuadrit ligjor që ka favorizuar në fakt shkëputje nga shteti ligjor dhe ai i ekonomisë së tregut në aspektin e korrupsionit skandaloz që ka sot Shqipëria.
Për sa i përket koalicionit PS- LSI, ai pohon se këtij koalicioni që ka korrur këtë fitore i thuhet u trashëgofsh, dhe nuk ka rëndësi nëse martesa është bërë me shkuesi apo dashuri, por duhet ushqyer suksesi i tyre.
E majta, tashmë bashkë, ka potencial, ka edhe njerëz që të bëjnë një punë të shumë të madhe bashkë. Mua do më pëlqente shprehja Rama dhe Iliri të jenë si qe në një parmendë, do të ishte shumë mirë nëse puna do të ecte kështu. Të dyja palët duhet ta provojnë ta bëjnë këtë, duke shmangur ambiciet e dominimit dhe duke parë shansin që kanë në dorë për ta bërë Shqipërinë pluraliste, demokratike dhe me ekonomi tregu. Ata janë me fat që kanë një shans të këtij lloji për të bërë një kthesë historike, nënvizon Brokaj në gazetën Shqip.
Brokaj shprehte se fjalimi i dorëheqjes së Berishës ishte i pandershëm dhe i qëndron mendimit se Berisha nuk ka për ta lënë PD-në të formohet si parti reale dhe e vërtetë, edhe pse është më e dështuar se PS në disfatën e 1992.