E Shtunë, 31 Tetor 2026

INTERVISTA/ Sequi: Statusi në dhjetor sështë i sigurt, presim përfundimin e zgjedhjeve

sekuiFlet ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi

Bisedoi: Arsen Hoxha, TVSH

 

Komuniteti ndërkombëtar i konsideron zgjedhjet parlamentare shqiptare në përputhje me standardet ndërkombëtare. A do të thotë kjo që Shqipëria ka bërë një hap para drejt integrimit në BE?

Për sa i takon Bashkimit Evropian, ne pa dyshim do ti mbështesim vlerësimet tona në vlerësimet e Misionit Vëzhgues të OSBE-ODHIR-it, që do ti paraqesë vlerësimet dhe raportin e vet përfundimtar brenda pak javësh. Ne i kemi përgëzuar tashmë shqiptarët dhe politikanët shqiptarë për atmosferën e mirë dhe mënyrën përgjithësisht të rregullt se si u zhvilluan zgjedhjet. Do të thosha gjithashtu se ndajmë vlerësimin paraprak të ODHIR-it. ODHIR-i i ka përcaktuar zgjedhjet si veçanërisht konkurruese dhe me një pjesëmarrje aktive të njerëzve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Votimi sipas raportit paraprak të ODHIR-it ka ecur mirë, pavarësisht disa parregullsive procedurale. Ne i konsiderojmë zgjedhjet, dhe këtë e kemi thënë gjithnjë, si një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve shqiptare. Vlerësimi ynë paraprak është se këto zgjedhje ishin një proces i mirë.

Një hap përpara?

Siç e thashë, Këshilli i dhjetorit, pra vendet anëtare, por edhe baronesha Ashton dhe zoti Fyle, kanë thënë se ky proces zgjedhor është një test thelbësor. Padyshim që nëse testi është i suksesshëm, kjo do të thotë edhe progres në udhën e integrimit evropian.

Siç thatë edhe ju, patëm zgjedhje të mira, por ende nuk kemi rezultate zyrtare. Ndonjëherë zgjatja e procesit, sidomos në Shqipëri, sjell shumë probleme. Cilat janë pasojat e mundshme të këtyre problemeve në të gjithë procesin?

Ne kemi kërkuar përfundimin e qetë dhe në kohën e duhur të procesit elektoral, por siç thatë me të drejtë edhe ju, procesi ende nuk ka përfunduar. Në fakt ne besojmë se vlerësimi i ODHIR-it do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse do të vlerësojmë perceptimin global për zgjedhjet – si ishte procesi – dhe unë besoj se përfundimet e procesit zgjedhor janë gjithashtu pjesë e këtij vlerësimi. Ajo që mund të them, që është diçka që më ka tërhequr vëmendjen mua dhe disa prej kolegëve të mi ndërkombëtarë, është mënyra se si partitë dhe drejtuesit  e tyre ndërvepruan të nesërmen e zgjedhjeve, deklaratat ishin absolutisht shumë të qeta dhe me dinjitet ata përgëzuan njëri-tjetrin.

E shihni këtë qëndrim të drejtuesve politikë si shenjë emancipimi politik në vendin tonë?

Besoj se këtë e pamë si një sinjal shumë të rëndësishme të një mentaliteti të ri. E kemi komentuar të gjithë këtë dhe e konsiderojmë përfundimisht si sinjal shumë pozitiv dhe sidomos edhe në lidhje me atë që thatë ju për përfundimin e procesit elektoral dhe mendoj se liderët u sollën në mënyrë evropiane dhe mua më pëlqen të mendoj se edhe ne kemi kontribuar për këtë.

Në çfarë kuptimi?

Në kuptimin se kemi mbështetur çdo ditë …

Trysni?

Unë do ta thosha ndryshe, kemi promovuar çdo ditë vlerat evropiane, sjelljet evropiane dhe kjo ndoshta ka ndikuar. Dhe ne pamë pas zgjedhjeve në deklaratat dhe sjelljet e drejtuesve politikë një përqasje më evropiane. Ndaj unë mendoj se procesi evropian duhet vlerësuar edhe për atë që sjell, ngadalë, por është vërtet me vend dhe i rëndësishëm.

Ambasador Sequi, cilat janë pritmëritë tuaja për mazhorancën e re gjatë katër viteve të ardhshme. Dua të them, cilat janë sfidat kryesore me të cilat duhet të përballet?

Para së gjithash, më lejoni të them se ne i kemi shprehur vazhdimisht pritshmëritë dhe vlerësimet tona në Progres-Raportin që botohet çdo vit në tetor. Progres-Raporti është një dokument shumë i rëndësishëm sepse përshkruan situatën dhe është si njëfarë rreze X e një vendi dhe gjithashtu shpjegon dhe thekson se çfarë pritet për të bërë përpara në rrugën e integrimit evropian. Siç e ka thënë edhe komisioneri Fyle, do të thosha se tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë reformash të rëndësishme.

Reforma të suksesshme?

Nëse mendoj për shembull, për liberalizimin e vizave, me gjithë përpjekjet që kërkonte liberalizimi i vizave, është pa dyshim një hap shumë i rëndësishëm përpara. Por, nuk mjafton, sepse problemi është se procesi i integrimit është një proces shumë i gjatë, është mjaft kërkues, është një proces që e përkufizojmë si të bazuar në merita, rregullat janë të qarta për të gjithë, për çdo vend, dhe ndonjëherë janë të vështira. Pra, ajo që presim është angazhim, por ajo që presim është edhe fokus në disa fusha specifike, siç është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, sistemi gjyqësor dhe ajo që do ta përshkruaja në përgjithësi si shteti ligjor, sepse shteti ligjor është një nga kërkesat kryesore në procesin e integrimit. Nuk është një çështje teorike, por shumë konkrete. Shtet ligjor do të thotë të kesh një vend më efikas me më pak korrupsion, një vend ku çështje si të drejtat e pronësisë trajtohen. Jam i sigurt se mes shikuesve tanë të gjithë kanë apo njohim dikë që ka probleme, për shembull me të drejtën e pronësisë. Procesi i integrimit nënkupton gjithashtu trajtimin e këtyre lloj problemeve. Ndaj mendoj se fokusi te shteti ligjor është fokusi më i rëndësishëm që ne presim nga reforma.

Sfida e parë për qeverinë e re do të jetë statusi i vendit kandidati. Cilat janë mundësitë e Shqipërisë që të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor?

Kohët e fundit komisioneri Fyle ka thënë se Shqipëria ka shanse reale. Statusi i vendit kandidat është i arritshëm. Janë bërë hapa të rëndësishëm si miratimi i të ashtuquajturave tre ligjet e famshme të integrimit. Procesi zgjedhor, siç është thënë, është një proces që pa dyshim u jep një sinjal vendeve anëtare për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike në Shqipëri. Duhet të shohim edhe disa rezultate të tjera konkrete në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përgjithësisht do të thosha se statusi i vendit kandidat është pa dyshim i arritshëm në dhjetor. U takon vendet anëtare të vendosin, por mendoj se sinjalet që janë dhënë, gjithashtu edhe nga ndërveprimi politik pozitiv gjatë këtyre javëve të fundit, janë sinjale të mira në këtë drejtim, kështu që është i arritshëm. Nuk është i sigurt, por sipas mendimit tim, ekzistojnë mundësi konkrete.

<

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›