INTERVSTA/ Fundi i idiokracisë
Rastet e fundit të denoncuara nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe akuzat për titullarët më të lartë të shtetit. Platforma e specialistëve se si mund të shpëtohen dhe ruhen ato që kanë mbetur dhe shpresa se qeveria e re mund tia dalë mbanë
Nga Alida Cenaj*
Një xhami për të justifikuar një qendër tregtare; heqje e zonave të mbrojtura nga lista për tu hapur rrugë ndërtimit të pallateve; ndryshim destinacioni i Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë sepse selia aktuale e Partisë Demokratike do ti rikthehet ish-pronarëve, rastësisht politikanë të njohur; dhe një shtet që ka degraduar, sidomos këto dy-tre vitet e fundit. Rastet e fundit që denoncon Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë përkthehen në më shumë sesa dëmtime hajdutësh ordinerë të trashëgimisë kulturore dhe historike. Artan Shkreli, arkitekt dhe një prej zërave më të fortë të kësaj shoqate tregon për ndodhitë e para pak ditëve, por edhe për deklaratën e fundit të Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe. Pas muajsh të tërë thirrjesh për tu ulur në tryezë me të dhe specialistët e këtij institucioni, më në fund Baçe, pak ditë të shkuara deklaroi publikisht se është dakord. Tani që është në ikje z. Baçe po bën një përpjekje të mbrame për të gjetur rrugën e komunikimit me ata aktivistë të shoqërisë civile të cilët i refuzoi kategorikisht pasi përçudnisht mendonte se Forumi ka objektiv individin Apollon Baçe, thotë Shkreli në këtë intervistë për Klan, duke e quajtur të mbyllur tashmë këtë çështje. Sepse Forumi tanimë i ka drejtuar sytë tek drejtori pasardhës i tij, qeveria që pritet të vijë dhe platforma që e ka prezantuar ndërkohë për çka mund të shpëtohet nga ato që kanë mbetur. Mund të ruhet trashëgimia, pa u munduar aq shumë sa çështë pretenduar deri tani, thotë Shkreli. Mjafton të ketë një ligj të fortë dhe ata që vjedhin e dëmtojnë të mos ia hedhin, maksimumi një një gjobë 1 milionë lekëshe, por edhe duke bashkëpunuar me komunitetin e për monumente të veçanta me sisteme alarmi, aspak të papërballueshme nga shteti, siç është pretenduar deri më sot. Është edhe një hap tjetër i madh që pretendohet të hidhet sapo zyra kryeministrore të presë kryeministrin e ri: bllokimin e Planit Rregullues të Tiranës, një vendim me të cilin, sipas Shkrelit, do të shpëtohet parqet, vilat dhe zona e shpallura monument kulture në kryeqytet. E nëse kjo ndodh, parku 7 Xhuxhat nuk do të prishet e bashkë me të mund të shpëtojnë edhe disa të tjerë, në të cilët sipas këtij plani do të bëhen pallate. Ka edhe një shpëtimtar tjetër në radhë, sipas Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë: Ministrja e re, Mirela Kumbaro. Është folur e disktuar me të dhe këto ditë titullarja do të vizitojë cep më cep në zonat muzeale të Shqipërisë për të mos mbetur vetëm tek raportet në letër. Duhet parë se çfarë është për tu shpëtuar dhe si.
-Para pak ditësh drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe deklaroi se është gati të ulet në një tryezë bisedimi. A do ta pranoni ftesën që më në fund doli nga ky institucion?
Eshtë e vërtetë që ai ka thënë se është gati të ulet në tryezë, por vetëm tani që po ikën. Ne i kemi bërë disa ftesa z.Baçe, sa herë që është mbledhur Forumi për Trashëgiminë, aty ku kemi ftuar edhe ambasadorë, të cilët kanë ardhur, por ai nuk e ka gjykuar asnjëherë të vijë. Tani që është në ikje z.Baçe po bën një përpjekje të mbrame për të gjetur rrugën e komunikimit me ata aktivistë të shoqërisë civile të cilët i refuzoi kategorikisht pasi përçudnisht mendonte se Forumi ka objektiv individin Apollon Baçe. Në realitet ai rezultoi njeriu më jodomethënës që ka drejtuar ndonjëherë në fushën e trashëgimisë. Pavarësisht kësaj, ne kërkonim të kishim kontakte dhe komunikim me kreun e institucionit, ashtu siç do e kërkojmë këtë gjë edhe me kreun e ardhshëm, cilido që të jetë ai. Tani nuk kemi pse të takojmë një drejtor, i cili më tepër ka hequr monumente nga lista kombëtare sesa ka shtuar. Në një kohë kur duhet të kishte ndodhur e kundërta.
-Dhe pse ka ndodhur kjo?
Sepse përveçse krejtësisht i paaftë në punë të drejtimit, besoj se nuk ka mundur tu rezistojë presioneve korrozive të entiteteve të tjera, siç janë trysnitë e ushtruara nga bashkitë apo individët. Padyshim që ai nuk ka arritur ti rezistojë këtij presioni. Pastaj është korruptuar apo jo, këtë nuk jam unë që mund ta them. Por aktet që ka bërë ai, me heqjen e monumenteve nga listat lokale, apo mosveprimi ndaj përbindëshave, si në rastin e Krujës, lë hapur rrugën e dyshimeve. Pos kësaj, ai ka një injorancë thelbësore kur mendon se arkitektura e betonit nuk mund të jetë monumentale (në suazën trashëgimore), ndërkohë që vetëm në Francë ka më shumë se 2000 objekte, monument kulture, të realizuara me hekur dhe me beton, të cilat gëzojnë mbrojtje; objekte të Eiffel-it, Hennebique-ut, Le Corbusier-së etj., apo në Zvicër ku mbrohen urat me paratensionim të viteve 20-30 të Maillart-it. Por ne nuk presim nga ai ndonjë kulturë individuale, të paktën jo në këtë rast, por kulturën institucionale një drejtues i dikasterit duhet ta ketë.
-Po i referohem dy rasteve të fundit për të cilët keni ju dalë publikisht, xhamia e Namazgjasë dhe parku 7 Xhuxhat. Çfarë pritet të ndodhë me to?
Për 7 Xhuxhat kemi bërë denoncime mediatike që kur jemi njohur me bocetet e para të Planit Rregullues të Tiranës. Pasi kemi bërë publike një sërë denatyrimesh që pësonin hapësirat e gjelbërta në qendër të Tiranës, të cilat me një klik zhdukeshin nga harta e kryeqytetit, ka dalë kryetari i bashkisë, z.Basha dhe me hipokrizinë e tij, tashmë proverbiale, ka deklaruar se tek hapësira e 7 Xhuxhave nuk do të ndërtohet; dhe ka thënë të njëjtën gjë edhe për kullat që tashmë ka autorizuar të ngrihen tek parku i Namazgjasë me sebepin e xhamisë, por nuk ka kaluar veçse pak kohë dhe rrena i ka dalë sheshit. Zotëriu, me gjithë kryeministrin në ikje, ka dhënë leje jo vetëm për objektin e kultit, por kryesisht për dy shumëkatësh të mëdhenj që do naltohen ngjitur me të. Komuniteti Mysliman nuk i ka paratë për xhaminë çka do të thotë se xhamia, të paktën sot, ka qenë vetëm një sebep për të shndërruar lulishten në shesh ndërtimi, kur në fakt duket se po nuk u ndaluan, kullat e biznesit do të përfundojnë përpara fillimit të xhamisë.
Dua të besoj se një nga aktet e qeverisë se re do të jetë shqyrtimi i këtij rasti, i cili është një kazus kriminal prej të cilit do zhduket përfundimisht një hapësirë publike në qendër të Tiranës me mashtrimin se kjo hapësirë po i ofrohet komunitetit mysliman të vendit. Ky karrem për të mbërritur te kullat, është shumë i shëmtuar si qasje; është e shëmtuar së pari ndaj komunitetit mysliman që i përdhoset një gjë e jashtëzakonshme siç ës