IPI: Të paktën 65 gazetarë të vdekur në Gaza deri më tani

Të paktën 65 gazetarë kanë vdekur në luftën e Gazës që nga fillimi i sulmeve izraelite, sipas Institutit Ndërkombëtar të Shtypit (IPI).
“Ky është numri më i madh i gazetarëve të vrarë në një hark kohor kaq të shkurtër në çdo luftë apo konflikt modern”, njoftoi të shtunën instituti në Vjenë.
IPI i bëri thirrje Izraelit dhe komunitetit ndërkombëtar që të sigurojnë që përfaqësuesit e medieve të mund të punojnë lirshëm dhe të sigurt.
Sipas shifrave të IPI, 66 profesionistë të medias u vranë në vitin 2022 në tërësi dhe 45 në 2021.
Lufta në Gaza u shkaktua nga masakra më e rëndë në historinë e Izraelit më 7 tetor, në të cilën terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe rrëmbyen rreth 240 të tjerë në Rripin e Gazës.
Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në Gaza, numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës është rritur në 21 672.
IPI denoncoi pengimin e shtypit në shumë vende, duke përmendur Afganistanin, Kinën dhe të tjerët.
Në këto vende gazetarët frikësohen, ngacmohen, burgosen ose kufizohen nga censura.
/ rtsh.al /