E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Ghalibaf: Teherani është i përgatitur për çdo opsion

TEHERAN, 11 maj /ATSH/- Negociatori kryesor iranian dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi sot se Teherani është “i përgatitur për çdo opsion”, ndërsa negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbeten në ngërç, raportoi CNN.

“Në rast të çdo agresioni, forcat tona të armatosura janë të gatshme të japin një përgjigje ndëshkuese”, shkroi Ghalibaf në rrjetet sociale.

“Strategjia e llogaritjeve të gabuara dhe vendimeve të gabuara prodhon gjithmonë rezultate të gabuara. Tashmë këtë e ka kuptuar e gjithë bota. Ne jemi të përgatitur për çdo opsion. Ata do të befasohen”, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, ai deklaroi se “nuk ka alternativë tjetër përveç pranimit të të drejtave të popullit iranian”, sipas propozimit me 14 pika që Irani paraqiti më herët këtë muaj.

“Çdo qasje tjetër do të jetë plotësisht e pasuksesshme. Asgjë tjetër veçse dështim pas dështimi”, shtoi Ghalibaf.

“Sa më shumë të vonohen, aq më shumë do të paguajnë taksapaguesit amerikanë”, tha ai.

Ghalibaf, i cili muajin e kaluar shërbeu si negociator kryesor në bisedimet me SHBA-në në Islamabad të Pakistanit, është kritikuar javët e fundit nga linja e ashpër iraniane për një qasje që konsiderohet tepër tolerante ndaj Uashingtonit.

Deklarata e tij erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi propozimin e fundit iranian si “të papranueshëm” dhe tha se armëpushimi ndodhet në “gjendje kritike”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›