E Diel, 1 Nëntor 2026

IRAN – Khamenei fajëson presidentin Trump për protestat dhe viktimat në vend

TEHERAN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei fajësoi sot presidentin amerikan Donald Trump për protestat kombëtare që kanë tronditur Iranin.

Duke iu drejtuar mbështetësve në Teheran, Khamenei tha se Trump ka ndërhyrë personalisht në trazirat dhe ka nxitur “kryengritësit” që të vazhdojnë demonstratat e tyre.

“Irani e shpall Trumpin përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjet që janë bërë kundër popullit iranian,”, shtoi ai sipas rrjetit ”Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB).

Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran si demonstrata nga pronarët e dyqaneve për rënien e fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, përpara se të shndërroheshin në një kryengritje kombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Forcat e sigurisë reaguan me dhunë dhe grupet iraniane të të drejtave të njeriut raportojnë mbi 3 400 viktima që nga fillimi i trazirave.

Numrat e saktë janë të vështirë për t’u verifikuar për shkak të kufizimeve të mëdha në aksesin në internet.

Në ditët e fundit, demonstratat duket se janë qetësuar, megjithatë situata e saktë mbetet e paqartë për shkak të bllokadës së informacionit./   /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›