E Diel, 1 Nëntor 2026

IRLANDË – Protesta masive pasi 600 nga 1 500 pikat e karburanteve janë bosh

LONDËR, 11 prill /ATSH-DPA/ – Policia irlandeze tha se ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme, ndërsa protestat për çmimet e karburantit, që kanë paralizuar shpërndarjen në të gjithë vendin, kanë hyrë në ditën e pestë radhazi.

”Rreth 600 nga 1 500 pikat e karburanteve në të gjithë Republikën e Irlandës janë shterur”, sipas drejtorit ekzekutiv të ”Fuels for Ireland”, Kevin McPartlan.

Ai tha se priste që numri të rritet ndjeshëm nëse bllokadat e vazhdueshme të depove të karburantit mbeten në fuqi.

Qeveria irlandeze pritet të rikthehet në bisedime me synimin për të zbutur situatën, pasi protestuesit kanë bllokuar pika kyçe të shpërndarjes së karburantit.

Një përfaqësues i industrisë paralajmëroi se shumica e pikave të furnizimit mund të mbeten pa karburant deri të hënën.

Kjo vjen pasi një takim vendimtar, i zhvilluar dje, nuk arriti të prodhojë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës.

Policia kombëtare ”An Garda Siochana” e ka shpallur situatën si ngjarje të jashtëzakonshme duke autorizuar mobilizimin e të gjithë efektivëve të disponueshëm gjatë fundjavës.

Protestat kanë shkaktuar ndërprerje në disa linja autobusësh në të gjithë vendin, si dhe në kryeqytet, ku është prekur edhe linja e tramvajit ”Luas Green Line”.

Protestuesit thonë se qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente për uljen e çmimeve të karburantit, përndryshe bizneset e tyre rrezikojnë falimentimin.

Ata kanë bllokuar rafinerinë e vetme të naftës në vend, në Whitegate, si dhe depo të rëndësishme karburanti në Galway dhe Foynes, në qarkun e  Limerickut./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›