E Shtunë, 31 Tetor 2026

IS: Të hapen materialet zgjedhore dhe fletët e votimit

Të majtët botërorë, unanimë në Tiranë: Qeveria të zgjidhë krizën

Internacionalja Socialiste, grupimi që përfshin partitë e qendrës së majtë në të gjithë botën, i ka kërkuar qeverisë shqiptare që t’i hapë rrugë hetimit të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke hapur kutitë e materialeve zgjedhore, si dhe kutitë e fletëve të votimit. Dje në Tiranë është mbajtur takimi i Komitetit të Europës Juglindore të Internacionales Socialiste, ku përveç sekretarit të përgjithshëm, Luiz Ajala, kanë marrë pjesë personalitete të larta të politikës europiane, ku më të spikaturit kanë qenë ish-kryeministri i Bullgarisë, Sergej Stanishev, dhe ish-kryeministri rumun, Adrian Nastase. Në fund të takimit është miratuar një rezolutë, në të cilën kërkohet “zgjidhja e menjëhershme e krizës së thellë politike dhe institucionale në Shqipëri”. Sekretari i përgjithshëm i IS, Luiz Ajala, duke bërë publike rezolutën e miratuar me unanimitet, theksoi se “pozicioni i shprehur nga Internacionalja Socialiste që nga fillimi i krizës ka qenë për gjetjen e përgjigjeve ndaj pyetjeve të PSSH-së dhe aleatëve të saj përmes një transparence të plotë të hetimit të shkeljeve të zgjedhjeve të 28 qershorit. Internacionalja Socialiste i kërkon mazhorancës që të lejojë nisjen e hetimit të plotë parlamentar të zgjedhjeve, përfshi atë që kanë të bëjnë me materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit”. Ndër të tjera në rezolutë theksohet se vonesa në zgjidhjen e krizës mund të dëmtojë vendin si në procesin e integrimit në BE, por edhe në liberalizimin e vizave. “Komiteti njeh hapat e përgjegjshëm të PSSH-së për të ofruar kompromisin e nevojshëm përfshi rikthimin në Parlament. Komiteti njeh faktin se mungesa e transparencës ka qenë faktor kyç që ka çuar në përkeqësimin e situatës”, theksohet në rezolutë, në të cilën më tej bëhet e ditur se po nuk u bë hetimi edhe zgjedhjet e ardhshme nuk janë të garantuara. Ajala deklaroi se “Shqipëria ka nevojë për institucione të forta dhe qeveri efikase dhe përfshirëse brenda një kuadri të qartë dhe transparent për t’iu përgjigjur krizës financiare”. Internacionalja Socialiste ka përshëndetur gjithashtu rolin e Parlamentit Europian dhe Komisionit për të nisur negociatat mes Berishës dhe Ramës për arritjen e një kompromisi politik. Këtë e ka bërë shumë të qartë sekretari i përgjithshëm Luiz Ajala, i cili ka përmendur edhe takimin që BE-ja ka iniciuar me të gjitha vendet e Ballkanit më 2 qershor. “Samiti i Sarajevës ofron një mundësi të re për angazhimin r për anëtarësimin e Ballkanit”, theksohet në rezolutë. Por takimi i djeshëm i Komitetit për Europën Juglindore të Internacionales Socialiste ka shkuar më tej, ku ka miratuar katër pika të posaçme për të mbështetur aksionin politik të opozitës shqiptare. “IS mbështet PSSH dhe aleatët e saj në përpjekjet e tyre, duke përfshirë edhe vëzhgime në përgatitjet e mbajtjet e zgjedhjeve të ardhshme.

Reformat në Shqipëri janë thelbësore për të pasur një sistem që garanton shtyllat e demokracisë: siç janë shteti ligjor, liria e mediave, biznesit shoqërisë civile etj.”, theksohet në rezolutën e miratuar. Komiteti i IS për Europën Juglindore bashkëdrejtohet nga lideri socialist shqiptar, Edi Rama dhe kreu i socialistëve bullgarë, Sergej Stanishev. Ish-kryeministri i Bullgarisë, vendi i të cilit është anëtar i BE-së, ka lëshuar një thirrje të fortë ndaj qeverisë shqiptare. “është deklaruar qartë edhe nga familjet politike europiane se pa konsensus, pa përfshirje do të ishte shumë e vështirë ecja e Shqipërisë drejt BE-së. Tashmë i takon shumicës parlamentare dhe qeverisë të provojë që edhe ata kanë po ashtu një pjekuri politike. Duhet të garantohet që këto probleme nuk duhet të përsëriten në të ardhmen, në mënyrë që njerëzit të inkurajohen për të shkuar në votim, pavarësisht se për kë kanë menduar të japin votën e tyre”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›