E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbivendosjet, hetim në tri fshatra të Komunës së Farkës

Në fshatrat Farkë, Farkë e Vogël, Selitë po hetohet për ndarjet e pronave sipas ligjit 7501. Në Bathore po hetohet për mbivendosjet

Mbivendosjet dhe ndarja e pronave në Komunën e Farkës në periferi të Tiranës, po hetohen nga njësia antikorrupsion e pagëzuar si Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, duke marrë nën hetim disa zyrtarë vendorë. Nga burime pranë akuzës qendrore mësohet se në këtë komunë janë gjetur shkelje në tri fshatra. “Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës ka filluar një hetim për ndarjen e pronave në fshatrat Farkë, Farkë e Vogël dhe Selitë. Dyshohet se komunarët vendorë kanë ndarë prona sipas ligjit 7501, por në kundërshtim me këtë ligj, duke sjellë dëme të konsiderueshme. Aktualisht, çështja është nën hetim e sipër dhe janë marrë të gjitha të dhënat nga zyra kadastrale e Komunës së Farkës, si dhe janë marrë të gjitha të dhënat nga Zyra e Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme e njohur si Hipoteka”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ndarja e tokave

Pas marrjes së dokumenteve nga Hipoteka dhe nga zyra kadastrale e Komunës Farkë, hetuesit e çështjes po përqendrohen në marrjen në pyetje të personave që kanë përfituar nga ky abuzim i vendorëve. Ata kanë deklaruar se ndarja e këtyre pronave është bërë nga trashëgimia e tyre që kanë pasur më parë dhe se në këto fshatra nuk ka pasur konflikte pronësie. Ata deklarojnë se kanë marrë pronat e të parëve të tyre dhe nuk i kanë hyrë në hak asnjë familjeje për këto prona. Në pyetje janë marrë edhe familjet që kanë përfituar më pas nga ligji i famshëm i ndarjes së pronave, ai 7501. Sipas tyre, familjet që kanë përfituar më pak, kanë qenë familje të ardhura në këtë zonë para viteve ‘90 megjithëse sipas këtij ligji, ato duhet të përfitonin të njëjtën pronë si familjet ekzistuese. Burime nga akuza qendrore thanë se hetuesit e çështjes kanë verifikuar të gjitha anomalitë dhe ka rezultuar se zyrtarët vendorë kanë shkelur ligjin për ndarjen e pronave sipas ligjit 7501, duke sjellë përfitime për disa familje në kurriz të të tjerave që banojnë në këtë zonë. Mësohet se çështja është nën hetim e sipër dhe në javët në vazhdim do të vendoset nëse këta persona do të merren apo jo të pandehur.

Mbivendosja

Në Prokurorinë e Tiranës janë dy çështje për abuzimet me pronat në Komunën e Farkës. Krahas çështjes së ndarjeve të pronave, në këtë komunë dyshohet se disa hektarë troje janë mbivendosur nga zyrat vendore. Dyshohet se këto mbivendosje kanë filluar të “realizohen” pas vitit 2005, duke prekur qindra familje. Me një dëm të llogaritur miliona euro, prokuroria e kryeqytetit ka filluar një hetim të gjerë, duke bashkuar denoncimet e shumta të banorëve të zonës, por edhe të ish-pronarëve, të cilët pretendojnë se zyrtarë të komunës dhe Hipoteka ka dhënë dy tituj pronësie për të njëjtën pronë apo truall. Në këtë zonë ka lulëzuar biznesi i ndërtimit, duke sjellë një “bum” kërkesash për prona. Pronarë dhe ish-pronarë të tunduar nga shumat e majme që mund të fitonin nga shitja i janë drejtuar komunës dhe zyrave të Hipotekës, ndërsa kanë marrë një përgjigje të prerë se “prona nuk rezulton në emrin tuaj”. Burime nga njësia hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thanë se nga këto abuzime me pronat private janë vënë nën hetim disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Komunës së Farkës në periferi të Tiranës. Nga hetimet e seksionit të Task-Forcës janë regjistruar dhjetëra kallëzime dhe rezulton se 487 familje në këto dy komuna janë prekur nga mbivendosjet e pronave. Pretendimet e banorëve po krahasohen me të dhënat në komunë, nga ku janë konstatuar dhjetëra parregullsi për titujt e pronësisë, ku disa banorë kanë tituj për të njëjtën pronë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›