E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHSH inspektime në terren për garantimin e kushteve higjieno-sanitare në pishina

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2026 dhe zbatimit të urdhrit për monitorimin e të gjitha pishinave, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), dega rajonale Tiranë, ka intensifikuar kontrollet në subjektet që ushtrojnë aktivitet në fushën e hoteleri-turizmit, pishinave dhe beach bareve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se “inspektimet kanë si qëllim verifikimin e zbatimit të standardeve higjieno-sanitare dhe garantimin e sigurisë shëndetësore për qytetarët dhe turistët gjatë sezonit veror”.

Sipas ISHSH-së, gjatë kontrolleve të zhvilluara në terren, në disa subjekte janë konstatuar shkelje të legjislacionit në fuqi, për të cilat janë marrë masat administrative përkatëse.

Objektivi kryesor sipas ISHSH-së mbetet garantimi i kushteve optimale higjieno-sanitare, duke kontribuar në një sezon turistik sa më të sigurt dhe të shëndetshëm.

Për këtë qëllim, institucioni ka ngritur edhe një grup të posaçëm në terren, i cili ushtron kontrolle të përditshme dhe është në gatishmëri për trajtimin e ankesave dhe denoncimeve të qytetarëve.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›