E Enjte, 5 Nëntor 2026

ITALI – G7 bie dakord për një hua të madhe për Ukrainën duke përdorur asetet e ngrira ruse

BARI, 13 qershor /ATSH-DPA/ – Shtetet e G7-s kanë rënë dakord t’i japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke përdorur paratë e krijuara nga asetet e ngrira të shtetit ruse, thanë sot diplomatët për DPA, ditën e parë të një samiti në Itali midis liderëve të demokracive të përparuara ekonomikisht të botës.

Ukraina e shkatërruar nga lufta do të përdorë paketën e kredisë për të forcuar mbrojtjen e saj ushtarake kundër Rusisë, për të paguar për rindërtimin e infrastrukturës dhe financimin e buxhetit të shtetit të Ukrainës.

Qeveria amerikane thotë se rreth 280 miliardë dollarë para të bankës qendrore ruse janë të palëvizshme në vendet perëndimore për shkak të sanksioneve të vendosura që nga sulmi i plotë rus në Ukrainë më shumë se dy vjet më parë.

Pjesa më e madhe e parave është brenda Bashkimit Evropian.

Shtetet anëtare të bllokut miratuan kohët e fundit përdorimin e të ardhurave nga interesi të krijuara nga asetet shtetërore ruse për të financuar ndihmën për Ukrainën.

Institucioni financiar me bazë në Bruksel, Euroclear – deri tani zotëruesi më i madh në BE i aktiveve të ngrira të bankës qendrore ruse – tha kohët e fundit se kishte mbledhur rreth 4,4 miliardë euro (4,7 miliardë dollarë) në interes në 2023.

Planifikimi për strukturën e paketës së kredisë ka nisur prej muajsh. Shtetet e Bashkuara fillimisht kishin bërë fushatë në favor të mbledhjes së jo vetëm të të ardhurave nga interesi, por edhe vetë aseteve të ngrira dhe përdorimit të tyre për të ofruar mbështetje financiare për Kievin. Megjithatë, disa kryeqytete evropiane kishin rezerva të mëdha për këtë.

Udhëheqësit e G7 po takohen për një samit në Italinë jugore nga sot deri të shtunën./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›