FOKUS – Bllokimi i sanksioneve kundër Rusisë e ka kthyer Gjermaninë në një Hungari të re

BRUKSEL, 13 qershor /ATSH-DPA/ – Berlini po bllokon negociatat mbi paketën e fundit të sanksioneve të BE-së, që synon të parandalojë Rusinë që të shmangë masat ekzistuese ndëshkuese të vendosura gjatë luftës në Ukrainë.
Diplomatët në Bruksel thanë se shqetësimet dhe thirrjet gjermane për ndryshime ishin një faktor vendimtar në vonesën e paketës së fundit të sanksioneve ruse.
Ata thanë se kohët e fundit duket se Gjermania ishte shndërruar në një Hungari të re, duke iu referuar kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili ka vonuar vazhdimisht vendimet për sanksionet ndaj Rusisë në nivel BE.
Masat e fundit ndëshkuese të planifikuara nga BE synojnë të parandalojnë shmangien e sanksioneve ekzistuese, me industrinë ruse të mbrojtjes aktualisht ende në gjendje të përfitojë nga teknologjia perëndimore për të prodhuar armë për luftën në Ukrainën fqinje.
Për herë të parë, BE planifikon gjithashtu të vendosë sanksione të ashpra kundër industrisë së gazit natyror të lëngshëm (LNG) të Rusisë me shumë miliarda dollarë.
Sipas diplomatëve, Komisioni Evropian po përpiqet të parandalojë dërgimin e LNG-së ruse në vendet e treta nga portet e BE-së si Zeebrugge në Belgjikë, me shpresën se kjo do të reduktojë fitimet e LNG-së ruse dhe rrjedhimisht investimet e disponueshme për luftën në Ukrainë./ /os/