ITALI – G7 dënon sulmin raketor të Iranit

ROMË, 2 tetor /ATSH-DPA/- Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara perëndimore (G7) dënoi sot ashpër sulmin me raketa iraniane ndaj Izraelit pas një videokonference mes liderëve.
“Udhëheqësit përsëritën dënimin e vendosur të sulmit të Iranit kundër Izraelit”, thuhet në një deklaratë.
Në një skenar që ndryshon vazhdimisht, u ra dakord që të punonim së bashku për të nxitur një ulje të tensioneve në nivel rajonal.
Udhëheqësit kanë frikë se veprimet e Iranit rrezikojnë një luftë në të gjithë Lindjen e Mesme, ku Izraeli ka qenë në konflikt me Hamasin e mbështetur nga Irani në Rripin e Gazës për një vit dhe së fundmi sulmoi milicinë e Hezbollahut në Liban.
“Duke shprehur shqetësimin e tyre të madh për përshkallëzimin e orëve të fundit, u rikonfirmua se një konflikt në mbarë rajonin nuk është në interesin e askujt dhe se një zgjidhje diplomatike është ende e mundur”, thuhet në deklaratën e G7.
Udhëheqësit ranë dakord të mbanin kontakte të ngushta.
“Gjatë takimit u diskutuan sanksionet e reja kundër Iranit”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni thirri takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të G7 për të diskutuar sulmin raketor iranian të së martës, i cili erdhi si përgjigje ndaj Izraelit i cili vrau liderin e milicisë libaneze Hezbollah – një aleat i Teheranit.
Izraeli, me ndihmën e SHBA-së, rrëzoi shumicën e raketave.
“Italia do të vazhdojë të punojë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Lindjen e Mesme”, tha Meloni në Romë.
Vendi aktualisht mban presidencën e rradhës të grupit të ekonomive kryesore demokratike.
G7 përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian. //a.i/