ITALI – Mijëra njerëz i japin Armanit lamtumirën e fundit

ROMË, 6 shtator /ATSH-DPA/ – Mijëra njerëz ishin sot në radhë para Teatro Armanit në Milano, ku ishte ekspozuar arkëmorti i stilistit të njohur, Giorgio Armanit, ndërsa Italia i jep lamtumirën stilistit të saj më të famshëm të modës.
Armani, i cili jetonte vetëm disa shtëpi më larg në një nga rrugët më elegante në metropolin verior të Milanos, vdiq të enjten në moshën 91-vjeçare.
Arkivoli është i ekspozuar aty ku janë mbajtur sfilatat e tij të mëdha të modës në vitet e fundit.
Sot në mëngjes, arkivoli u prit me duartrokitje nga turma që priste ndërsa u soll në ndërtesë me një makinë funerale.
Varrimi privat është planifikuar të bëhet nesër.
Armani ndërroi jetë pas muajsh problemesh shëndetësore. Në qershor dhe korrik, ai u detyrua të anulonte pjesëmarrjen e tij në sfilatat e tij të modës.
Në një ekran të madh, përkrah një fotoje të Armanit në fund të një sfilate mode, një mesazh në italisht shkruan se “gjurmën që shpresoj të lë është ajo e përkushtimit, respektit dhe vëmendjes ndaj njerëzve dhe realitetit. Atje fillon gjithçka”.
Një buqetë me trëndafila të bardhë qëndronte mbi arkivol./ /Ad.Ab./